Agjencia Europiane e Barnave (EMA) u bëri thirrje shteteve që të shpejtojnë programet e tyre të vaksinimit pasi mund të rriten infeksionet. Sipas EMA-s, dy doza të një vaksine të Covid janë të nevojshme për të siguruar mbrojtje ndaj variantit Delta.
"Provat paraprake sugjerojnë që të dyja dozat e një vaksine Covid-19 janë të nevojshme për të siguruar mbrojtjen e duhur kundër variantit Delta," tha EMA në një deklaratë.
EMA ka miratuar vaksinat Pfizer / BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca. Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), varianti Delta i koronavirusit do të përbëjë 90% të rasteve deri në fund të gushtit.
Studimet kanë treguar se varianti është 40% deri 60% më i transmetueshëm sesa llojet e mëparshme të virusit.
"Kjo e bën shumë të rëndësishem faktin që vendet duhet të shpejtojnë programet e vaksinimit, duke përfshirë shpërndarjen e dozave të dyta aty ku rekomandohet dhe të mbyllin boshllëqet e imunitetit dhe mundësitë për shfaqjen e mëtejshme të varianteve, sa më shpejt të jetë e mundur," tha EMA.
EMA shtoi gjithashtu se ka prova të mira shkencore se përzierja e dozave të dy vaksinave të ndryshme ishte "e sigurt dhe efektive" kundër Covid-19.
Varianti Delta është konfirmuar në Kosovë, ndërsa në Shqipëri nuk janë raportuar raste deri tani.