KORONAVIRUS

Komiteti i Ekspertëve flet për variantin Delta dhe masat anti-Covid

Shkruar nga Anabel

26 Korrik 2021

Komiteti i Ekspertëve flet për variantin Delta dhe masat anti-Covid

Në konferencën e fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri me dije se ka një rritje të lehtë të infektimeve me Covid, megjithatë situata epidemiologjike mbetet e qëndrueshme.

“Tashmë në Shqipëri është vërtetuar zyrtarisht varianti Delta. Kampionet e dërguara [për hetim] kanë qenë nga disa rajone të vendit, gjë që tregon që virusi qarkullon gjerësisht në Shqipëri,” u shpreh Dr. Mira Rakacolli.

Në lidhje me masat kufizuese, Dr. Rakacolli tha:

“Komiteti i Ekspertëve mendon që pavarësisht se në Shqipëri është i vërtetuar dyshimi për variantin Delta, mbrojtja është njësoj dhe niveli i masave nuk ka asnjë arsye objektive që të ndryshojë. Masat për ta mbajtur situatën nën kontroll do të jenë po ato që kanë qenë. Pavarësisht nga qarkullimi i variantit Delta dhe pavarësisht se ky variant ka një infektueshmëri më të lartë, mbrojtja ndaj këtij varianti është e njëjtë. Ne mund të mbrohemi fare mirë nëse zbatojmë masat.”

Ajo shtoi se e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga ky variant i ri është vaksinimi, mbajtja e maskës dhe distancimi social.

“Është e vërtetuar që vaksinimi të mbron nga humbja e jetës, nga shtrimi në spital dhe është e vërtetuar që të gjitha llojet e vaksinave të mbrojnë njëlloj.”