Konfirmimi i rasteve të para me variantin Delta në vend, ka shtuar edhe më thirrjen për t'u vaksinuar nga ana e ekspertëve. Përfaqësues të Komitetit Teknik u shprehën se mënyra më e vetme për të parandaluar infektimin, për t'i shpëtuar shtrimit në spital dhe fataliteteve, është vaksina.
Ndërkohë, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, gjatë një interviste për Euroneës Albania u shpreh se paragjykimi që shqiptarët i bëjnë vaksinës kineze është i gabuar.
Brataj shtoi se çështja e vaksinave është kthyer në luftë ekonomike dhe gjeopolitike, ndërsa iu bëri apel qytetarëve të vaksinohen me çfarëdolloj vaksine, pasi në fund të ditës, ky është lajm pozitiv.
“Të gjitha vaksinat do të rishihen, sepse me mutacionet që po pëson virusi, vaksinat e reja që prodhohen do të ndryshojnë."- u shpreh ai. Përsa i përket zgjedhjes së llojit të vaksinës, Skënder Brataj tha se kjo varet nga vaksinat që janë në dispozicion në qendrat shëndetësore ku kryhet vaksinimi.
Edhe pse vaksina është fakultative dhe askush nuk është i detyruar ta bëjë, njerëzit që ofrojnë shërbime publike si: mjekë, mësues, infermierë, etj duhet të vaksinohen. I pyetur se kur mund t'i rikthehemi normalitetit pa kufizime, masa apo frikë nga rikthimi i Covid-19, Brataj tha pranverën e vitit që vjen.