Varianti Delta mund të jetë aq i transmetueshëm te njerëzit e vaksinuar sa është te njerëzit e pavaksinuar dhe mund të shkaktojë sëmundje më të rënda te të pavaksinuarit sesa llojet e tjera të koronavirusit, sipas një raporti të brendshëm nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Dokumenti, një prezantim i përgatitur nga zyrtarë brenda agjencisë amerikane të mbrojtjes së shëndetit dhe i marrë nga Washington Post, argumenton se zyrtarët qeveritarë duhet të "pranojnë se lufta ka ndryshuar" duke pasur parasysh ashpërsinë.
Dokumenti i CDC citon të dhëna që sugjerojnë se njerëzit e vaksinuar mbajnë ngarkesa virale të ngjashme me ata që janë të pavaksinuar dhe të infektuar me variantin, megjithëse shkencëtarët pranojnë se gjasat që njerëzit e vaksinuar të përhapin virusin, nëse infektohen, janë shumë më të rralla në krahasim me njerëzit e pavaksinuar.
Raporti i brendshëm i CDC, i zbuluar nga Washington Post, u bë publik disa ditë pasi agjencia ndryshoi udhëzimet duke rekomanduar që edhe njerëzit e vaksinuar të mbajnë maska në disa mjedise të brendshme.
Rochelle Walensky, drejtoresha e CDC, konfirmoi vërtetësinë e raportit në një intervistë me CNN.
"Masat që na duhen për ta vënë këtë virus nën kontroll - janë ekstreme. Masat që ju nevojiten janë ekstreme,” tha Walensky.
Prania e variantit Delta është konfirmuar edhe në vendin tonë, ku autoritetet shëndetësore kanë theksuar rëndësinë e vaksinimit.