Në një video të publikuar sot, 16 gusht, përfaqësuesi i talebanëve, Mullahu Baradar Akhund, në një deklaratë tha se "është koha që të punohet për popullin dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve në këtë shtet".
Ata pretendojnë se do të përpiqen të "përmbushin pritshmëritë e qytetarëve" dhe se do t'u shërbejnë më mirë atyre duke zgjidhur problemet.
“Me ndihmën e Allahut ne arritëm këtë fitore unike në historinë e gjithë botës. Por, nuk duhet të tregojmë arrogancë. Tani është koha e provës, ne duhet t’i shërbejmë vendit, t’i ofrojmë qetësi të gjithë kombit, se duhet të shkojmë sa më larg të mundemi për të përmirësuar jetët e qytetarëve”, u shpreh Mullah Baradar Akhund, përfaqësues i talebanëve.
Pas më shumë se një javë, talebanët e shpallën të përfunduar luftën e Afganistanit, direkt pasi morën nën kontroll pallatin presidencial në Kabul. Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi ditën e dielë.
Talebanët e shpallën luftën në Afganistan të përfunduar, pasi morën nën kontroll pallatin presidencial në Kabul.
Ndërkohë, trupat amerikane kanë marrë nën kontroll aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, duke marrë në duar menaxhimin e trafikut ajror për të evakuuar stafin diplomatik të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Në aeroportin në fjalë ndodhen edhe shumë banorë të kryeqytetit afgan, të cilët duan të largohen për t’i shpëtuar sundimit të talebanëve. Videot e njerëzve që dynden drejt avionit janë bërë virale, teksa thuhet se disa njerëz kanë rënë gjatë fluturimit, duke humbur jetën.
Për të mësuar më shumë rreth situatës dhe asaj që po ndodh në Afganistan, lexoni këtu.
Burimi: BBC, Euronews