Shqipëria

Sa afganë do të mbërrijnë në Shqipëri?

Shkruar nga Anabel

17 Gusht 2021

Sa afganë do të mbërrijnë në Shqipëri?

Sipas Euronews, brenda 24 orëve në Shqipëri do të mbërrijnë rreth 300 afganë. Shtetasit e parë që do të vijnë në vend janë bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe forcave të aleancës së NATO-s, të cilëve u rrezikohet jeta pas marrjes së kontrollit të Afganistanit nga talebanët.

Pjesa më e madhe e tyre janë përkthyes dhe bashkëpunëtorë të nivele të ndryshme të strukturave amerikane në Afganistan.

Sidoqoftë, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se nuk dihet ende numri i saktë i emigrantëve afganë që pritet të mbërrijnë në Shqipëri. Ajo tha se "situata është dinamike dhe ende nuk dihen detaje të sakta se si do të procedohet" dhe theksoi se qëndrimi i qytetarëve do të jetë i përkohshëm në Shqipëri. Sipas saj, planifikohet që më vonë, shtetasit afganë të shpërngulen në Amerikë për t’u sistemuar përfundimisht.

“SHBA po koordinon situatën nga afër së bashku me qeverinë shqiptare. Disa persona po shkojnë direkt në SHBA, disa mijëra ndodhen tashmë atje”, tha Kim.

Strehimi i tyre do të bëhet në godinën e studentëve në Tiranë dhe në disa hotele në Durrës. Përveç Shqipërisë, pranimin e afganëve deri më tani e kanë konfirmuar Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Kanadaja.

Burimi: Euronews Albania