Charlie Watts, bateristi i Rolling Stones, u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare. Përmes një deklarate për PA Media, publicisti i tij Bernard Doherty tha:
"Me trishtim të madh njoftojmë vdekjen e të dashurit tonë Charlie Watts. Ai u nda nga jeta paqësisht në një spital në Londër herët sot i rrethuar nga familja e tij. Charlie ishte një bashkëshort, baba dhe gjysh i dashur dhe gjithashtu, si anëtar i Rolling Stones, një nga bateristët më të mëdhenj të brezit të tij.”
Në fillim të këtij muaji, u njoftua se Watts do të mungonte në turneun e ardhshëm të grupit në SHBA pasi po shërohej pas një procedure mjekësore të paspecifikuar.
Me qëndrimin e tij, njohuritë mbi xhazin dhe aftësinë për t’i bërë këngët të paharrueshme, Watts konsiderohet si një nga bateristët më të mëdhenj - dhe më me stil – të të gjitha kohërave.
I lindur në vitin 1941, Watts u rrit në Wembley, Londrën veriperëndimore, dhe më vonë në periferi të Kingsbury-t. Dashuria e tij e parë muzikore ishte xhazi amerikan. Ai më vonë ndoqi shkollën e artit dhe u bë një dizajner grafik pas diplomimit, e ndërkohë luante me grupet lokale.
Në vitin 1962 ai u bashkua me Blues Incorporated ku njohu edhe vokalistin Mick Jagger dhe kitaristin Keith Richards. Këta dy të fundi formuan grupin e tyre më vonë, Rolling Stones, të cilit Watts iu bashkua në vitin 1963.
Ndikimi i tij te Rolling Stones shtrihej përtej baterisë. Ai punoi me Jagger në modelet skenike gjithnjë e më spektakolare për turnetë e grupit. Ai gjithashtu siguroi ilustrime për kopertinën e pasme të albumit të mirënjohur të vitit 1967, “Between the Buttons” dhe pa dashje i vendosi titullin. Kur ai pyeti menaxherin e Stones Andrew Oldham se si do të quhej albumi, Oldham u përgjigj “Between the Buttons” që do të thotë i pavendosur. Watts mendoi se "Between the Buttons” ishte emri dhe e përfshiu atë në veprat e tij të artit.
Sipas vlerësimit të kritikut të muzikës Robert Christgau, Watts ishte "bateristi më i madh i muzikës rock". Në vitin 2016, ai u rendit i 12-ti në listën e "100 bateristëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave" të Rolling Stone.
Në 2004, Watts u diagnostikua me kancer në fyt, por u shërua pas radioterapisë.

Ndryshe nga historitë romantike të shokëve të grupit, Watts ishte i qëndrueshëm në jetën personale: ai u martua me gruan Shirley Ann Shepherd në vitin 1964 dhe qëndruan bashkë deri në fund të jetës së tij. Ata janë prindër të një vajze, Seraphina.
Burimet: Rolling Stone, Guardian