Bota

Afganët përshkruajnë si është jeta nën kontrollin e talebanëve: ‘Njerëzit janë të shkatërruar'

Shkruar nga Anabel

31 Gusht 2021

Afganët përshkruajnë si është jeta nën kontrollin

Talebanët festuan me armë zjarri ditën e tyre të parë me kontrollin e plotë të Afganistanit, pak minuta pasi avioni i fundit ushtarak amerikan u ngrit nga aeroporti i Kabulit.

Ata tani kontrollojnë më shumë territor sesa në vjeshtën e vitit 2001, para se të ndërhynin trupat amerikanë. "Bota duhet ta ketë marrë mësimin dhe ky është momenti i kënaqshëm i fitores," tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid në një deklaratë të transmetuar drejtpërdrejt.

Tani ata duhet të punojnë se si të qeverisin një vend që është dëshpërimisht i varfër, që përballet me një thatësirë dhe që ka humbur një numër të madh të elitës së arsimuar brenda natës. Komandantët talebanë e kanë pranuar sfidën e ardhshme, madje kanë arritur që në mënyrë të fshehtë, para se të merrnin në kontroll Kabulin, t'u kërkonin disa afganëve të shquar të bashkoheshin me një qeveri të ardhshme.

Si është jeta tani? Ja çfarë thonë disa njerëz për Guardian (emrat e tyre janë ndryshuar).

Arifa Ahmadi e filloi ditën e saj të parë nën kontrollin e plotë të talebanëve duke djegur xhinset dhe çdo rrobë tjetër që talebanët kanë të ngjarë të mos i miratojnë. Arifa është pjesë e brezit që është rritur gjatë 20 viteve të fundit dhe ka gëzuar lirinë, arsimin dhe punësimin nën një qeveri të mbështetur nga perëndimi - por e humbi punën pasi talebanët pushtuan vendin.

"Unë u përpoqa shumë për të gjetur një punë në një zyrë doganore në Farah dhe e fitova vendin e punës. E festova me miqtë e mi. I ftova në shtëpi. Ne ishim shumë të lumtur. Por unë e humba punën vetëm pas tre javësh. Shumë grave iu kërkuan nga talebanët që të largoheshin nga zyra. Teksa shikoja situatën, as që u përpoqa të kthehesha.”

Ajo shtoi: "Një burrë me mjekër të gjatë është ulur në karrigen time tani." Arifa u largua nga Farah pasi talebanët pushtuan qytetin dhe shkoi në Kabul me shpresën se do të largohej nga vendi përmes një kompanie të huaj.

“Kam qarë që prej mëngjesit. Vëllai im doli dhe më bleu një burkë, i dogja xhinset sot. Unë qaja dhe i digjja, i dogja shpresat me to. Asgjë nuk do të më bëjë më të lumtur. Unë jam vetëm duke pritur për vdekjen time, nuk e dua më këtë jetë[... ]Gjithçka përfundoi për mua këtë mëngjes dhe gjithashtu për të gjithë njerëzit në qytet. Mund të shihni që askush nuk qesh jashtë. Një ndjenjë absolute e depresionit është në të gjithë qytetin.”

Nesar Karimi, një inxhinier në Kabul tha:

“E fillova ditën time të parë nën sundimin e plotë të talebanëve në hyrje të një banke në zonën Shahr-e-Naw të Kabulit. Shkova atje rreth orës 6 të mëngjesit, para se të hapet banka, por shumë njerëz tashmë ishin në radhë. Qëndrova atje deri në 12, por mbyllën ATM-në, thanë se nuk kishin para dhe erdha në shtëpi pa asgjë. Qindra njerëz ishin atje. Talebanët po rrihnin njerëzit me tuba, unë doja të qëndroja, por ishte rrëmujë dhe u ktheva në shtëpi. Ishte dita ime e dytë duke u përpjekur të tërhiqja disa para, por nuk munda.”

"Kam jetuar këtu në Kabul për pjesën më të madhe të jetës sime, por kurrë nuk e kisha parë Kabulin në këtë mënyrë," shtoi ai. “Është një ndjesi sikur nuk ka më ndjenja rrugëve. Njerëzit humbën të gjitha shqisat e tyre, atyre nuk u intereson asgjë, mua nuk më intereson asgjë, brezi im humbi gjithçka brenda disa orëve. Njerëzit janë shkatërruar.”

Jabar Rahmani, një banor i qytetit Mazar-i-Sharif tha:

“Vendosa të rris mjekrën dhe të vesh rroba tradicionale afgane si masa e parë parandaluese për të shmangur kërcënimin e tyre. Duhet ta bëj për të qëndruar gjallë. Distanca midis jetës dhe vdekjes është shumë e ngushtë nën kontrollin e këtyre njerëzve. Mjekrat ose veshjet mund të jenë një gjë shumë e thjeshtë për njerëzit në pjesë të tjera të botës, por këtu është një luftë kërcënuese për jetën.”

Reshad Sharifi, një banor në Herat, tha se luftëtarët talebanë e ndaluan të vishte bluzë me mëngë të shkurtra dhe pantallona të shkurtra teksa donte të stërvitej.

"Unë kam zakon të zgjohem herët në mëngjes për të shkuar në një mal aty pranë në Herat. Ndalova disa ditë dhe sot ishte dita ime e parë që ecja dhe vrapoja. Gjithmonë vesh pantallona të shkurtra dhe bluzë. Bëra të njëjtën gjë këtë mëngjes, por ata më ndaluan duke më drejtuar armën. Më thanë: ‘Kthehu, vishu si mysliman dhe dil prap’. Kam humbur shpresën për jetën.”