Cover Story

Deklarata e veçantë e Ismail Kadaresë për Helenën, në ditën e saj të lindjes

Shkruar nga Anabel

21 Shtator 2021

Deklarata e veçantë e Ismail Kadaresë për Helenën,

Kanë qenë të rralla herët kur Ismail Kadare ka shprehur publikisht dashurinë ndaj bashkëshortes së tij, Helenës, por në ditën e saj të lindjes shkrimtari i madh nuk kursehet të tregojë rolin e saj në jetën e tij. 

Gjatë një interviste për "Panorama", Kadare refuzon t'i bëjë asaj një urim tradicional, madje qëndron edhe larg klisheve të deklaratave romantike, duke nënkuptuar se fjalët e shumta vetëm do ta "ulnin" raportin e veçantë që kanë mes tyre. 

"Helena është gruaja më e afërt për mua në këtë botë, që në fillim të njohjes sonë e deri tani. Në mbarim, nëse mund ta quajmë mbarim këtë pjesë të fundit të jetës sonë. Helena është njeriu im më i afërt, që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote dhe ndaj të cilës ndihem i detyruar për gjithçka."

Kadare, e cilëson marrëdhënien e tyre si "të përjetshme" dhe për të, ky lloj raporti nuk mund të ketë një përcaktim gjuhësor të saktë. 

“Zakonisht, në këtë botë, gjërat e bukura, të mëdha, të përjetshme, nuk e durojnë dot përcaktimin në fjali gjuhësore, në fjalë, mekanizmat gramatikorë të një gjuhe, prandaj nuk do ta merrja përsipër një aventurë të tillë."- vazhdon ai.

Helena Kadare, është jo vetëm bashkëshortja e një shkrimtari brilant, por është gjithashtu një nga ato shkrimtare që theu tabu në shkrimet e saj. Në historinë e letrave shqipe para dhe pas viteve ‘90, emri i Helena Kadaresë do të shfaqet shpesh jo vetëm si një prozatore: (romani i saj i parë “Një lindje e vështirë” u botua në vitin 1976, për të vijuar me “Një grua nga Tirana” dhe “Bashkëshortët”), por dhe si një shqipëruese (kryesisht pas viteve ‘90).

Një nga librat më të diskutuar të Helenës është padyshim "Kohë e Pamjaftueshmë", një libër me kujtime personale që nisin me fëmijërinë e autores e deri tek njohja me Kadarenë dhe jeta me të.

Pavarësisht talentit të saj në botën e letrave, Helena Kadare zgjodhi me shumë fisnikëri që talenti dhe fama e jashtëzakonshme të përqëndroheshin tek një emër, ai i bashkëshortit të saj.

Burimi: Panorama