HBO publikoi disa pamje nga “House of Dragon” (Shtëpia e Dragoit), një spinoff i “Game of Thrones”, serial që rrjedh nga historia ekzistuese, por merret me të tjera detaje dhe ndodh të përqëndrohet në aspekte të ndryshme, që mund të jenë tema, personazhe dhe ngjarje të veçanta.
“House of Dragon” u njoftua dy vjet më parë dhe bazohet te libri “Fire and Blood” i shkrimtarit George R. R. Martin dhe përqendrohet në historinë e familjes Targaryen, vendosur dy shekuj para ngjarjeve të “A Song of Ice and Fire” të Martin, ku u bazuan ngjarjet e serialit “Game of Thrones”.

Publikimi i teaser – një paraqitje e shkurtër që synon të nxisë interesin – nuk zbulon shumë për komplotin e “House of Dragon”, por zbulon kastin: Paddy Considine, Matt Smitt, Emma D’Arcy, Sonoya Mizuno, Steve Toussaint, Rhys Ifans dhe Olivia Cooke.
Një ndër dilemat është sa fansa të “Game of Thrones” do të kenë interes të shohin “House of Dragon”, duke marrë parasysh se sezoni i fundit nuk u pëlqye nga të gjithë.
HBO nuk ka publikur një datë specifike për “House of Dragon”, por do të transmetohet gjatë vitit të ardhshëm në HBO Max.