Kur Anabel Entertainment dhe Nilor Film njoftuan për herë të parë nisjen e xhirimeve të serialit teen-drama $NOB, të shumtë qenë njerëzit – kryesisht adoleshentë ose të rinj të lindur në fund të viteve ’90 – të cilët pyetën në Anabel Media se “çfarë është snob?” duke iu referuar emrit të serialit.
Një term i popullarizuar në vitet ’90, por jo fort i përdorur në ditët e sotme, ishte e kuptueshme se një pjesë e mirë nuk e dinte kuptimin e vërtetë të fjalës. Përmes një postimi në faqen zyrtare në Instagram – një përpjekje për të shpjeguar disi linjën e ndërtimit të ngjarjeve në serial - @snob_tvseries shpjegoi se “snobiz/ëm është një prirje e ngulitur për të ndjekur mënyrën e jetesës, sjelljet dhe modën e një shtrese shoqërore që mendohet si më e lartë e më e zgjedhur; shije e sëmurë për t’i pëlqyer gjërat vetëm pse janë të huaja e të stërholluara”.
View this post on Instagram
Fjalori online Merriam Webster e përkufizon “snob”si "ai/ajo që imiton në mënyrë të hapur, admiron në mënyrë vulgare ose kërkon shoqërim me ata që konsiderohen si eprorë shoqërorë; ai/ajo që tenton të kundërshtojë, të shmangë ose të injorojë ata që konsiderohen si inferiorë.”
Neel Burton, psikiatër, filozof dhe shkrimtar që jep mësim në Oxford, në një artikull për Psychology Today, vëren se fjala “snob” e ka origjinën nga latinishtja, sine nobilitate (pa fisnikëri) dhe përdorej shkurtimisht si “s.nob” në listat e emrave për të dalluar dikë me ose pa titull. Kuptimi i fjalës ka ndryshuar në rrjedhë të shekujve, por në ditët e sotme, Burton thotë se snob është dikush që:
- I jep rëndësi të ekzagjeruar një ose më shumë tipareve sipërfaqësore si pasuria, statusi shoqëror, bukuria ose karakteristikat akademike.
- I percepton njerëzit me këto tipare si me më shumë vlerë.
- Fyen ata që u mungojnë këto tipare.
Disa karakteristika të tjera:
- Mendojnë se janë më të mirë se të tjerët dhe se gjoja kanë shije, stil dhe jetesë më elitare.
- Janë fyes për zgjedhjet e të tjerëve.
- Shtiren dhe përpiqen shumë për t’i ngjarë diçkaje që e perceptojnë si të përsosur.
- Janë të fiksuar pas markave dhe duan që kushdo ta dijë sa e shtrenjtë është makina, shtëpia, veshja që kanë.
- Flasin për paratë shumë dhe mendojnë se të paturit para i bën më të mirë se të tjerët.
- Nuk janë shumë miqësorë.
- Duan të tregojnë gjithmonë standardet dhe mburren me zgjedhjet e tyre.
Pra, ka tre aspekte kryesore të snobizmit: ekzagjerimi i rëndësisë së disa tipareve, pretendimi për ato tipare dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, përbuzja e njerëzve të cilëve u mungojnë këto tipare.
I lidhur ngushtë me snobizmin është edhe “snobizmi i kundërt” – përbuzja për të njëjtat tipare që snobët i admirojnë. Në të dyja rastet, interpretohet si një simptomë e pasigurisë sociale.
Pasiguria sociale mund të jetë e rrënjosur te përvojat e fëmijërisë, veçanërisht ndjenjat e turpit për të qenë ndryshe, ose një ndjenjë e hershme privilegji ose e drejte. Gjithashtu mund të jetë rezultat i thjeshtë i ndryshimit të shpejtë shoqëror.
Në rastin më ekstrem, snobizmi mund të jetë një manifestim i çrregullimit të personalitetit narcist ose psikopatisë më të gjerë që shfaqet përmes mungesës së ndjeshmërisë, thekson Burton.