Sport

Taulant Xhaka i jep fund karrierës me kombëtaren shqiptare

Shkruar nga Anabel

16 Nëntor 2021

Taulant Xhaka i jep fund karrierës me kombëtaren shqiptare

Futbollisti Taulant Xhaka njoftoi se do të largohet nga kombëtarja shqiptare e futbollit, përmes një letre të drejtuar tifozëve kuqezi, kombëtares dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

“Dita që u vesha kuqezi ka qenë dhe mbetet dita më e bukur e jetës sime. Kam qenë dhe jam shumë krenar që u bë e mundur. Ishte një ëndërr për të gjithë familjen Xhaka, e cila tashmë e bërë realitet. Do jemi gjithmonë krenarë dhe mirënjohës. Nuk përshkruhen dot me fjalë emocionet dhe çastet e bukura që kam kalur në gjirin e kombëtares kuqezi."

Në vijim të deklaratës së tij, Xhaka shkruan, “Si unë dhe vëllai im Graniti jemi rritur me atdhedashuri për Shqipërinë dhe Kosovën.” Ai shton se arsyet e largimit lidhen me dëmtimet e vazhdueshme, por jo vetëm.

“Kohët e fundit jam munguar me kombëtaren kuqezi për shkak të lëndimeve të shumta, që akoma vazhdojnë të më ndjekin. Për këtë arsye dhe shumë arsye të tjera private, kam vendosur të jap lamtumirën nga kombëtarja kuqezi si lojtar i saj, por me zemër do të jem pranë jush deri në frymën e fundit. Do të jem përjetë kuqezi.”

Xhaka shkruan se ky “është ndër vendimet më të vështira dhe emocionuese të marra ndonjëherë” në karrierën e tij.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Taulant Xhaka (@tx.34)

Në një intervistë të një jave më parë, trajneri i kombëtares, Edoardo Reja, u shpreh për të ashtuquajturën “çështja Xhaka”, referuar mungesës së vazhdueshme të futbollistit gjatë ndjeshjeve të fundit.

“Xhaka nuk është i sinqertë. Po gënjen dhe po tallet me ne. Nuk e kam ftuar vetëm një herë sepse kishte probleme fizike, por e kam thirrur vazhdimisht, por më pak na ka refuzuar. Më vjen keq sepse u kam dhënë mundësinë të gjithëve, por Xhaka ka braktisur këtë herë kombëtaren dhe njerëzit duhet ta dinë këtë dhe të mos vazhdojë më kjo histori.”

Taulant Xhaka, 30 vjeç, tani luan me klubin e Baselit në Zvicër.