KORONAVIRUS

Silva Bino sqaron kur dhe pse duhet ta bëjmë dozën e tretë të vaksinës

Shkruar nga Anabel

20 Dhjetor 2021

Silva Bino sqaron kur dhe pse duhet ta bëjmë dozën e tretë

Silva Bino, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik ka listuar disa prej arsyeve kryesore pse është e rëndësishme marrja e dozës së tretë të vaksinës.

Në videon e publikuar nga ministria e Shëndetësisë, Bino thotë se të gjithë ata që dozën e dytë të vaksinës e kanë marrë para 6 muajsh, duhet të vaksinohen me të tretën, pasi imuniteti fillon dhe ulet. 

“Të gjithë qytetarët që kanë kryer dozën e dytë para 6 muajsh duhet patjetër të marrin dozën e tretë. Ajo është e rëndësishme për faktin se imuniteti ndaj Covid-19, i shkaktuar nga vaksina fillon dhe ulet. Kjo nuk është hera e parë që ndodh pasi për një seri sëmundjesh infektive, kalendarët e vaksinimit krijohen duke u mbështetur në eksperiencë."- u shpreh ajo. 

Thënë këtë, Bino e krahasoi me eksperiencën e vaksinave të tjera që injektohen në bazë të një kalendari.

“Përshembull, për tetanozin ne vaksinohemi 6-7 herë. Për polomelitin vaksinohemi 5 herë. Për sëmundje të tjera vaksinohemi disa herë. Kjo sepse imuniteti fillon dhe ulet dhe ka nevojë për doza përforcuese. Doza e tretë përforcuese na siguron ndaj formave të rënda të sëmundjes dhe ka ndikim të rëndësishëm në mosshfaqjen e infeksionit. Doza përforcuese ul kohëzgjatjen e mbajtjes së virusit. Nëse një njeri i vaksinuar infektohet, nuk shfaq shenja klinike dhe transmeton më pak virusin. Doza e tretë përforcuese ka një seri gjërash që bëjnë që kjo pandemi të kontrollohet dhe ne të kthehemi në jetën tonë."