Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi se janë konfirmuar raste të infektimit me variantin Omicron.
Në një konferencë mëngjesin e sotëm (23 dhjetor), kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, u shpreh se janë konfirmuar dy raste me Omicron pas analizës së mostrave në Gjermani. “Megjithatë, në Shqipëri vazhdon të mbizotërojë varianti Delta,” shtoi ajo.
Rakacolli theksoi se situata epidemiologjike në 2 javët e fundit paraqitet “pak a shumë e qëndrueshme” si në rastet ditore ashtu edhe në rastet që kërkojnë kujdes spitalor.
Referuar studimeve të fundit, njerëzit e infektuar me Omicron kanë afërsisht 15 deri në 20% më pak rrezik përsa i përket shtrimit në spital në krahasim me variantin Delta, thanë të mërkurën studiuesit nga Imperial College London. Sipas të dhënave, ka gjithashtu një rrezik të reduktuar të qëndrimit më gjatë në spital, ku rastet me Omicron kanë 40-45% më pak gjasa për t'u shtruar në spital për një natë ose më shumë.
Megjithatë, fakti që mendohet se redukton shtrimet në spital nuk është i mjaftueshëm për të mos patur masa anti-Covid sepse përhapja e shpejtë e Omicron do të thotë se një numër i madh i infeksioneve mund të çojë në numër të lartë të shtrimeve në spital.