A do të jetë Covid si gripi i zakonshëm?
Disa zyrtarë shëndetësorë kanë parashikuar që Covid-19 mund të përfundojë si gripi, gjë që kërkon një vaksinë të re çdo vit.
Megjithatë, profesor Martin Hibberd nga London School of Hygiene and Tropical Medicine argumenton se koronaviruset – si ata që tashmë shkaktojnë ftohje të zakonshme – nuk sillen në këtë mënyrë: “Ata nuk shfaqen si lloje të reja çdo vit. Arsyeja pse ftohemi në dimër është sepse imuniteti ynë ndaj koronaviruseve nuk zgjat shumë. Dhe ky virus duket se është më i ngjashëm me ata që shkaktojnë ftohjet e zakonshme. Me fjalë të tjera, mund të na duhet ende të mendojmë për vaksinat për t'u mbrojtur kundër Covid-19 çdo vit, sepse imuniteti gjithmonë do të ulet.”
Të tjerë ekspertë janë të mendimit se virusi do të evoluojë vetë dhe do të bëhet më i butë, më i transmetueshëm deri në atë pikë ku do të duhet të mendohet vetëm për vaksinimin e anëtarëve më të rrezikuar të popullatës.
Rriten raportimet për UFO në Irlandën e Veriut
Nga disqet misterioze mbi malin Slemish në qarkun Antrim deri te imazhet e çuditshme të vërejtura në ÇTV, janë shtuar raportimet për pamje të pashpjegueshme në Irlandën e Veriut (pjesë e Mbretërisë së Bashkuar).
Në polici u raportuan tetë raste që njoftonin se kishin parë objekte të çuditshme gjatë vitit 2021, një rritje nga gjashtë raporte të tilla në 2020-n dhe katër në 2019-n.
Nick Pope, i cili dikur hetonte raportet për pamjet e UFO-ve për Ministrinë e Mbrojtjes tha se ishte e mundur që nisur nga fakti që më shumë njerëz po kalojnë më shumë kohë në shtëpi gjatë pandemisë mund të përbëjnë një rritje të pamjeve të raportuara.
Ndryshimet klimatike: Kostoja e dukurive ekstreme të motit u rrit në vitin 2021
Dhjetë fatkeqësitë më të kushtueshme të motit të vitit 2021 tejkaluan dëmin total prej 150 miliardë euro, sipas një organizate joqeveritare britanike.
Shifra shënon rritje nga viti i kaluar dhe pasqyron ndikimin e ngrohjes globale, tha Christian Aid në raportin vjetor të publikuar të hënën. 10 ngjarjet ekstreme të motit vranë 1,075 njerëz dhe zhvendosën nga vendbanimi 1.3 milionë.
Linjat ajrore anulojnë më shumë fluturime pasi 8,000 u anuluan gjatë fundjavës së Krishtlindjes
Linjat ajrore në të gjithë botën anuluan pak më pak se 8,000 fluturime gjatë fundjavës së Krishtlindjes për shkak të mungesës së stafit si pasojë e përhapjes së variantit Omicron dhe motit të keq.
Sipas Flightaware.com, që gjurmon nisjet, vonesat dhe anulimet e fluturimeve, 1639 fluturime të tjera u anuluan të hënën ku pothuajse një e treta prekin vetëm SHBA-në. Një numër i konsiderueshëm i anulimeve ndikuan gjithashtu në Kinë.