KORONAVIRUS

Si përfundojnë zakonisht pandemitë? Ç’na mëson historia e sëmundjeve ndër shekuj

Shkruar nga Anabel

31 Janar 2022

Si përfundojnë zakonisht pandemitë? Ç’na mëson

A do të zhduket ndonjëherë Covid? Kur mund të përfundojë pandemia? Si do të përfundojë? Që nga fillimi i pandemisë, epidemiologët dhe specialistët e shëndetit publik janë përpjekur të parashikojnë se çfarë mund të ndodhë me Covid, në mënyrë që të frenojnë përhapjen e sëmundjes. Por parashikimi i sëmundjeve infektive është i ndërlikuar.

Nukhet Varlik, një profesoreshë e asociuar e historisë në Universitetin Rutgers dhe historiane që studion sëmundjet dhe shëndetin publik – në një artikull për the Conversation, bën një analizë të disa pandemive që kanë ndodhur në të kaluarën.

Varlik vë në dukje se në ditët e para të pandemisë, shumë njerëz shpresonin se koronavirusi thjesht do të zhdukej. Disa argumentuan se do të zhdukej vetë për shkak të temperaturave të larta të verës. Të tjerë pretenduan se imuniteti i tufës do të fillonte sapo të ishin infektuar njerëz. Por asgjë nga këto nuk ka ndodhur.

Ndërkohë ekspertët thonë se edhe me vaksina të suksesshme dhe trajtim efektiv, Covid-19 mund të mos largohet kurrë. Edhe nëse pandemia frenohet në një pjesë të botës, ajo ka të ngjarë të vazhdojë në vende të tjera, duke shkaktuar infeksione diku tjetër. Pra, edhe nëse nuk është një kërcënim i nivelit pandemik (global), koronavirusi ka të ngjarë të bëhet endemik - që do të thotë se transmetimi i ngadaltë dhe i qëndrueshëm do të vazhdojë. Koronavirusi mund të vazhdojë të shkaktojë infeksione në grupe më të vogla, njësoj si gripi sezonal.

Pasi shfaqen, sëmundjet rrallë largohen

Qoftë bakterial, viral apo parazitar, praktikisht çdo patogjen që ka prekur njerëzit gjatë mijëra viteve është ende me ne, sepse është pothuajse e pamundur t'i çrrënjosim plotësisht.

Për shembull, patogjenët si malaria. Kishte rreth 228 milionë raste me malarie dhe 405,000 vdekje në mbarë botën në vitin 2018. Që nga viti 1955, programet globale për zhdukjen e malaries patën disi sukses, por sëmundja është ende endemike në shumë vende.

Në mënyrë të ngjashme, sëmundje të tilla si tuberkulozi, lebroza dhe fruthi kanë qenë me ne për disa mijëvjeçarë. Dhe përkundër të gjitha përpjekjeve, çrrënjosja e menjëhershme ende nuk është në dukje. Varlik përmend gjithashtu rastet e HIV apo Ebola, virusin e gripit dhe koronaviruset, duke përfshirë SARS, MERS dhe SARS-CoV-2 (ky i fundit shkakton Covid).

Vaksinat dhe trajtimet janë efektive, por nuk do të thotë se sëmundjet do të zhduken. Ndoshta asnjë sëmundje nuk mund të ndihmojë në ilustrimin e kësaj pike më mirë se murtaja, sëmundja e vetme infektive më vdekjeprurëse në historinë njerëzore.

“Ka pasur shpërthime të panumërta lokale dhe të paktën tre pandemi të dokumentuara të murtajës gjatë 5000 viteve të fundit, duke vrarë qindra miliona njerëz. Më e famshmja nga të gjitha pandemitë ishte Vdekja e Zezë e mesit të shekullit të 14-të,” shton ajo. Disa shoqëri u rikuperuan relativisht shpejt nga humbjet e shkaktuara nga Vdekja e Zezë. Të tjerët nuk e bënë kurrë.

“Shpresojmë që Covid-19 të mos vazhdojë për mijëvjeçarë. Por edhe me vaksina të suksesshme, askush nuk është i sigurt. Politika është vendimtare: Kur programet e vaksinimit dobësohen, infeksionet mund të kthehen sërish. Vetëm kujtoni fruthin dhe poliomielitin, të cilët rishfaqen sa ulet programet e vaksinimit.”

Sipas virologes Kirsty Short në Universitetin e Queensland-it, “Covid do të largohet si një fërshëllimë, jo si zhurmë e fortë". Pra, nuk ka një kohë specifike kur mund të themi se në këtë datë, nuk ka më Covid. "Për të eliminuar një virus nga popullata njerëzore është tepër e vështirë. Kjo ka ndodhur vetëm me një patogjen njerëzor dhe është lija," tha për ABC News Dr. Short.

"Për ta bërë këtë, duhet një strategji globale vaksinimi. Për më tepër, duhet një vaksinë që ofron mbrojtje kundër virusit dhe kundër çdo mutacioni që mund të shfaqë virusi.”

Drejt sëmundjes endemike

Varianti Omicron, për të cilin studimet kanë treguar se është më ngjitës se Delta, por përgjithësisht çon në infeksion më pak të rëndë sidomos për njerëzit e vaksinuar, ka rritur shpresat e shumëpritura se Covid-19 ka filluar të kalojë nga një pandemi në një sëmundje endemike më të menaxhueshme si gripi sezonal. Por Covid na ka surprizuar disa herë, ndaj vështirë të parashikohet 100%. Megjithatë OBSH është optimiste: 2022-shi mund të shënojë fundin e pandemisë (por kjo nuk do të shënojë kurrsesi fundin e Covid).

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.