Ilir Shaqiri i ka cilësuar sulme deklaratat e Oni Pustinës gjatë kohës kur ai ishte brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”.
I ftuar në “Ftesë në 5”, balerini u pyet në lidhje me komentet e Pustinës, i cili ndër të tjera tha se Iliri jeton nën hijen e Kledi Kadiut dhe është përpjekur të minimizojë përpjekjet e shqiptarëve të suksesshëm në Itali, madje sipas tij ka përdorur çdo mënyrë e intrigë për të qenë në nivelin e tyre.
“Unë mendoj që secili ka objektivat e veta në jetë dhe në momentin që ti i realizon ato objektiva, je në rregull me veten dhe nuk ke pse të shohësh pjatën e tjetrit. Unë ha atë që dua të ha dhe realizoj atë që dua të realizoj. Unë nuk mendoj që kjo deklaratë e Onit ka ardhur përsa i përket hijes, xhelozisë ose Kledit në përgjithësi.” – tha Shaqiri.
Më tej, Iliri shtoi:
“Ai thjesht është prekur se ka parë një klip ku unë flisja me Ardit [Çunin]. Unë e kam vlerësuar Onin. Arditi nuk dinte që Oni kishte qenë te ‘C’è posta per te’, nuk dinte që ishte supermodel në Itali. Kështu që unë kam folur fjalë pozitive për Onin. Është komentuar edhe një lloj marrëdhënie që Arditi nuk e dinte. Ndoshta këtu ka qenë gabimi im, që pa zënë emra, pa zënë personazhin në gojë, i shpjegova Arditi se si kishte ndodhur historia. Ky mund të ketë qenë gabimi im i vetëm.”
Iliri nuk sqaroi se për çfarë bisede bëhet fjalë. Nëpër komente online, në kohën kur u diskutuan akuzat e Pustinës, një ndjekës shkroi: “Një natë kur ishte nga fillimi Big Brother, ky [Iliri] ka qenë te tavolina e ngrënies me Arditin ulur dhe si me kode po flisnin keq dhe për ty, për Ambetën [balerinë shqiptare e njohur në Itali dhe ish-partnere e Oni Pustinës] dhe të tjerë, s’e di në e ke parë.” Këtij komenti Oni iu përgjigj me “shumë i vëmendshëm”.
Në një tjetër koment, u lexua: “Po e kujtoj shumë mirë, madje foli dhe për njërin nga ju, s’dua të gaboj, por më duket për ty dhe tha është martuar me vajzën e një të madhi këtu, e ka babain gjyqtar, një gjë e tillë”, duke iu referuar bashkëshortes së Onit, balerinës Linda Poda. “Bravo!” iu përgjigj Pustina këtij komenti të dytë.
Në “Ftesë në 5”, Iliri theksoi se ka ndodhur një keqkuptim dhe i konsideroi akuzat e Pustinës si sulme.
“Gjithë kjo gjë që është keqkuptuar nga ana e Onit; mua më ka ardhur keq, por janë mendimet e tij për të sulmuar një Ilir Shaqiri që në këto momente po bën ‘Big Brother Albania’.”
Në mes të dhjetorit, në një koment në faqen e Instagramit të “Big Brother VIP”, Pustina shkroi se Shaqiri “ka një jetë që jeton nën hijen e Kledi Kadiut” dhe “xhelozon për çdo shqiptar të realizuar në shtetin fqinj”. Sipas tij, balerini “ka një jetë që përpiqet me çdo mënyrë dhe intrigë që të jetë sado pak në nivelin e tyre duke minimizuar arritjet e tyre dhe duke u përpjekur madje edhe t’iu zërë vendin”.