Kinema & TV

Simon, Anna dhe mashtrues të tjerë: Arsyet psikologjike pse fiksohemi me këto histori

Shkruar nga Anabel

26 Shkurt 2022

Simon, Anna dhe mashtrues të tjerë: Arsyet psikologjike pse fiksohemi

Mashtruesit janë kryefjala e këtyre muajve. Pak javë më parë, Elizabeth Holmes u dënua për mashtrim të investitorëve, më pas Netflix publikoi “The Tinder Swindler” dhe tani afër “Inventing Anna,” ndërsa në muajt në vijim Apple+ dhe Hulu do të publikojnë filmat e tyre rreth Elizabeth Holmes. Përpos këtyre, në Netflix do të dalin “Bad Vegan: Fame. Fraud. Fugitives” dhe “Trust No One: The Hunt for the Crypto King” – të dy dokumentarë për mashtrues famëkeq.

Simon, Anna dhe mashtrues të tjerë: Arsyet psikologjike pse fiksohemi
Simon Leviev

Thënë këto, duket se ka gjithmonë e më shumë interes për historitë e pabesueshme të mashtruesve. Për shembull, javë më parë bota u shokua nga historia e Simon Leviev, i cili përdori aplikacionin e takimeve Tinder për të shfaqur një jetë luksoze, ndërkohë që mashtronte gratë në të gjithë Europën. Në “Inventing Anna”, mini-serial i Shonda Rhimes, publiku njihet me historinë e Anna Sorokin, e lindur në Rusi, e cila krijoi një identitet të rremë dhe duke u hequr si Anna Delvey, trashëgimtare e pasur gjermane, arriti të fitonte zemrat e shumë njerëzve të pasur në New York, të cilët i mashtroi duke i vjedhur shuma të mëdha parash.

Simon, Anna dhe mashtrues të tjerë: Arsyet psikologjike pse fiksohemi
Aktorja Julia Garner si Anna në "Inventing Anna" dhe Anna Sorokin e vërtetë

Por pse qenkërka kaq tërheqëse të shohësh njerëz se si mashtrojnë dhe grabisin viktimat e tyre? Ndoshta ka të bëjë më psikikën tonë.

Greg Kushnick, një psikolog në Manhattan, tha për The Post se ndjenja e neverisë na bën të hedhim gjykime morale mbi mashtruesit, gjë që nga ana tjetër nxit një ndjenjë kënaqësie. Me fjalë të tjera: Ndihesh mirë të gjykosh dikë kaq keq.

"Kur gjykojmë autorin, ne qëndrojmë në një piedestal moral," shpjegoi ai. “Ne themi ‘Unë bëj gjënë e duhur, nuk do ta bëja kurrë këtë gjë’ dhe në atë gjykim, sensi ynë për veten - egoja jonë - zgjerohet dhe na jep kënaqësi.”

Ndikon edhe ndjenja e intrigës dhe kuriozitetit. Simon dhe Anna bëjnë një jetë të mbushur me makina luksoze, avionë privatë, rroba të shtrenjta. Një gjë e tillë është tërheqëse për njerëzit.

Simon, Anna dhe mashtrues të tjerë: Arsyet psikologjike pse fiksohemi

Psikologia Dr. Pam Rutledge tha për The Post se tregimet për mashtruesit janë gjithashtu të njohur për arsye edukative: Ne nuk do të donim të bëheshim viktimë e një prej skemave të tyre.

“Ne instinktivisht duam të dimë se çfarë ka ndodhur, kështu që mund të përcaktojmë rrezikun tonë për një ngjarje të ngjashme dhe, më e rëndësishmja, të mësojmë se si të mos mashtrohemi,” thotë ajo.

Të dy Leviev dhe Sorokin nuk janë penduar për veprimet e tyre dhe në aspektin psikologjik shfaqin shenja të narcizmit. Personalitete të tilla ngjallin gjithmonë kureshtje.