Diversitet

Nga ajo në ai: Si funksionon kirurgjia e shndërrimit nga femër në mashkull

Shkruar nga Anabel

24 Mars 2022

Nga ajo në ai: Si funksionon kirurgjia e shndërrimit nga femër

Që në vogëli, Davidi e kuptoi që jetonte në trupin e gabuar. Loreta, emri që prindërit zgjodhën për të, dhe trupi biologjikisht femër, nuk e përfaqësonin. Në një intervistë për “Goca dhe Gra” në Top Channel, Davidi – fotoreporter në profesion – rrëfeu për betejat e tij si transburrë, i pari që ka folur hapur në Shqipëri.

Aplikacioni TikTok e ndihmoi Davidin që të dilte hapur për identitetin, pavarësisht se vuri në dukje se përballet me komente dhe paragjykim online si edhe në rrethin shoqëror.

Nga ajo në ai: Si funksionon kirurgjia e shndërrimit nga femër

Ai shtoi se ka kryer ndërhyrjen për heqjen e gjinjve dhe dëshiron që të kryejë edhe ndërhyrjen që zëvendëson vaginën me penisin. Më shumë për rrëfimin e tij, klikoni këtu, ndërsa në vijim të artikullit kemi përmbledhur se si funksionon hap pas hapi shndërrimi nga femër në mashkull, ndërhyrje që kanë për qëllim të krijojnë një lidhje mes seksit (femër) dhe gjinisë (grua).

Kirurgjia nga femër në mashkull (nuk kryhet në Shqipëri) është një lloj operacioni për ndryshimin e seksit. Ky shndërrim mund të marrë forma të ndryshme, duke përfshirë heqjen e gjinjve - mastektomi - dhe ndryshimin e rajonit gjenital, e njohur si kirurgji “e poshtme”.

Shembuj të kirurgjisë së poshtme përfshijnë:

- heqjen e mitrës (histerektomi)
- heqjen e vaginës (vaginektomi)
- ndërtimin e penisit përmes metoidioplastikës ose faloplastikës

Përpara operacionit për kalimin nga femër-në-mashkull, personat marrin terapi zëvendësuese të testosteronit. Ata pastaj mund t'i nënshtrohen një ose më shumë prej llojeve të mëposhtme të procedurave:

Ristrukturimi i gjoksit

Ky operacion (mastektomi) është një ndërhyrje nënlëkurore për të hequr indin e gjirit. Kirurgu gjithashtu bën ndryshime në pamjen dhe pozicionin e thithave.

Heqja e mitrës, vezoreve dhe gypave të fallopit

Një person mund të zgjjedhë të kryejë operacionin nëse nuk dëshiron të ketë mitër, vezore ose gypat e fallopit, ose nëse terapia hormonale nuk ndalon menstruacionet.

Metoidioplastika

Metoidioplastika është metoda për të ndërtuar një penis. Ajo përfshin ndryshimin e klitorit në penis. Personi merr terapi hormonale përpara operacionit për të zgjeruar klitorin për këtë qëllim. Gjatë procedurës, kirurgu heq edhe vaginën.

Përveç kësaj, zgjat uretrën dhe e pozicionon përmes neopenisit (kështu quhet penisi i krijuar). Për të arritur zgjatjen, kirurgu përdor indet nga faqet ose pjesë të vaginës. Qëllimi i kësaj është të lejojë që personi të urinojë teksa qëndron në këmbë.

Një tjetër opsion është një procedurë e njohur si Centurion, e cila përfshin rivendosjen e ligamenteve të rrumbullakëta nën klitor për të rritur perimetrin e penisit.

Një avantazh i metoidioplastikës është se penisi mund të arrijë ereksionin, për shkak të aftësive të indit klitoral. Megjithatë, penisi që krijohet nga metoidioplastika është shpesh shumë i vogël për seks penetrues.

Faloplastika

Faloplastika përdor lëkurën - zakonisht nga krahu, kofsha, shpina ose barku - për të formuar një neopenis. Mjekët e konsiderojnë marrjen e lëkurës nga parakrahu si opsionin më të mirë në ndërtimin e penisit.

Krahasuar me metoidioplastikën, faloplastika krijon një penis më të madh. Megjithatë, ky penis nuk mund të arrijë ereksionin vetë. Pas një periudhe rikuperimi, personi mund të marrë një implant penisi. Kjo mund t'i lejojë të ketë dhe të mbajë ereksione si edhe të bëjë seks penetrues.

Gjatë faloplastikës, kirurgu kryen vaginektomi dhe zgjat uretrën për të lejuar urinimin përmes penisit.

Disavantazhet e faloplastikës përfshijnë numrin e vizitave dhe kontrolleve kirurgjikale që mund të jenë të nevojshme, si dhe koston, e cila zakonisht është më e lartë se ajo e metoidioplastikës.

Skrotoplastika

Një person mund të vendosë të bëjë skrotoplastikë - krijimin e një skrotumi (lëkura që mban dhe ndihmon në mbrojtjen e testikujve) - së bashku me metoidioplastikë ose faloplastikë.

Në skrotoplastikë, kirurgu ripozicionon labia majora (buzët e jashtme të vaginës) për të formuar skrotumin dhe fut implante testikujsh prej silikoni.

Burime ndihmëse: Medical News Today, WebMD