Femije

Pse prindërit s’duhet t’i pyesin fëmijët: ‘Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?’

Shkruar nga Anabel

25 Prill 2022

Pse prindërit s’duhet t’i pyesin fëmijët:

“Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?” është një pyetje që me siguri jua kanë bërë të paktën një herë. Duket një pyetje kureshtare, e padëmshme dhe e rëndësishme për të nisur një bisedë me një fëmijë, por ja që është mirë ta shmangni, sidomos nëse jeni prindër.

Adam Grant, i diplomuar në Universitetin e Harvardit dhe më pas i specializuar në Universitetin e Michiganit, është një psikolog dhe profesor në Shkollën Wharton në Universitetin e Pensilvanisë. Ai është autor i librave bestseller “Jep dhe merr” (Give and take), “Origjinalet” (Originals), “Opsioni B” (Option B), dhe “Fuqia lëviz” (Power moves). Libri i tij i fundit është “Mendo përsëri: Fuqia e të diturit atë që nuk di” (Think again: The power of knowing what you don’t know). Sipas Grant, kjo pyetje është e padobishme.

"Zgjedhja e një karriere nuk është si gjetja e një shoku shpirtëror. Është e mundur që puna juaj ideale as nuk është shpikur ende. Disa fëmijë ëndërrojnë shumë të vegjël. Ata heqin dorë nga ndjekja e gjurmëve të familjes dhe kurrë nuk marrin parasysh alternativat. Disa përballen me problemin e kundërt: Ata kishin ëndrra shumë të mëdha, lidheshin me një vizion që nuk ishte realist.” – shkruan ai në një artikull për CNBC.

Ai shton se fëmijët, kur e shohin punën në lidhje me atë që bëjnë, sesa në lidhje me atë çfarë janë, bëhen më të hapur për të eksploruar mundësi të ndryshme.

“Nëse fëmijët tuaj vendosin të fillojnë një bisedë për atë që duan të jenë kur të rriten, tregojini se nuk kanë nevojë të zgjedhin një karrierë; ata mund të bëjnë shumë gjëra. Bëjini të mendojnë për të gjitha gjërat që duan të bëjnë - ndoshta duke dizenjuar, duke studiuar hapësirën, shkrimin krijues, futbollin ose të qenit një YouTuber fitnesi.”

Në përfundim, ai thekson:

“Industritë e vjetra po ndryshojnë dhe ato të reja po shfaqen më shpejt se kurrë më parë. Nuk ka kaluar shumë kohë që kur Google, Uber dhe Instagram nuk ekzistonin. Vetja juaj e ardhshme mund të mos ekzistojë tani dhe interesat tuaja mund të ndryshojnë me kalimin e kohës,” shkruan ai.