
Mesditën e sotme, rreth orës 13:00, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski pati një komunikim live me Kuvendin e Shqipërisë ku mes shumë mesazheve të tjera, renditi edhe kërkesat e tij ndaj shqiptarëve.
Ai u shpreh se bankat ruse duhet të shkëputen nga sistemi financiar global dhe ndërkohë duhet të mbyllen portet për anijet ruse si dhe të kufizohen turistët.
“Unë besoj se duke punuar së bashku me të gjithë europianët me përpjekjet tona të mira ne do jemi në gjendje të ndalojmë këtë luftë të zhvilluar nga Rusia. Të jemi në gjendje të mbrojmë Europën në të ardhmen prej një përsëritjeje të një kërcënimi si ky. Paketa e 6 e sanksioneve po diskutohet në BE, duhet të këmbëngulim se ajo përfshin embargon e naftës dhe bllokimin real të çdo skene që Rusia përdor për të mashtruar botën e lirë. Bankat ruse duhet të shkëputen plotësisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht tregtia me Rusinë. Ju kërkoj të mbyllni portet për anijet ruse, të kufizoni ardhjet për turistët rusë”, -shprehet Zelenski.
Pa harruar të falenderojë Shqipërinë për mbështetjen, ai tha se OKB-ja duhet të shkëpusë bashkëpunimin me Rusinë.
“Jam mirënjohës Shqipërisë në bashkëpunimin e saj në platformën e saj OKB-së. Që nga viti 2014 kur Rusia pushtoi Krimenë dhe filloi luftën në Donbas, OKB ka blerë mallra dhe shërbime prej saj në të paktën 2 mld e gjysmë dollarë. Kjo është e padrejtë, nuk mund të ndodhë."
Rrëfimi i kreut ukrainas tronditi parlamentin teksa tregonte për situatën aktuale në vend dhe specifikisht në Mariopol.
“Bombardimet vazhdojnë ndërkohë që ne jemi duke folur. Mariupoli është shkatërruar, nuk ka asnjë ndërtesë. Është një qytet gjysmë milion dhe sot nuk ka banesa. Nuk lejojnë ujin ushqim dhe as ilaçe. Është gati qytet plotësisht i djegur. Ka shkatërrime, vrasje dhe skena terrorizmi. Plaçkitje totale. Të moshuarit thonë që nuk kanë parë kurrë mizori të parë. Tani po shohin ushtrinë ruse që qëllojnë fëmijët në fytyre. Ushtria ruse detyron dhe torturon të rinjtë, u mbushin këpucët me ujë dhe i lënë në të ftohtë. S'i lënë as të lëvizin. Në zona të çliruara gjejmë njerëz të masakruar. Shumë prej tyre të qëlluar në pjesën e pasme të kokës. Ka trupa kudo, në pyje në bodrum."- përfundoi ai duke i kujtuar edhe njëherë shqiptarëve, se po mbajnë anën e lirë, atë të së vërtetës.