Shqipëria

Sali Berisha rizgjidhet kryetar i Partisë Demokratike

Shkruar nga Anabel

23 Maj 2022

Sali Berisha rizgjidhet kryetar i Partisë Demokratike

Pas 9 vitesh, Sali Berisha u rizgjodh në krye të Partisë Demokratike.

Në votimin që u zhvillua në 108 qendra në mbarë vendin të dielën, ish-kryeministri pati përballë Ibsen Elezin dhe zgjedhja e kryetarit u bë sipas parimit një anëtar një votë.

43,680 demokratë iu drejtuan kutive të votimit, nga ku 40,820 votuan për Sali Berishën, ndërsa 2,532 për Ibsen Elezin. Pra, Berisha mori 93.45% të votave; 5.8 % e demokratëve mbështetën Elezin në këtë garë. 328 rezultuan vota të pavlefshme.

“31 vite më parë një mik i madh i kombit tonë në vizitën e tij historike James Baker do u thoshte shqiptarëve se ‘ju do jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj’,” – u shpreh Berisha. “Do bëj gjithçka që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet në këtë vend.”

Ibsen Elezi, pas humbjes, deklaroi se nuk do të vijnë ditë më të mira nëse njerëzit nuk angazhohen dhe shtoi se ata të cilët servilosen apo presin marrëveshje për ndarjen e karrigeve, nuk i shërbejnë të ardhmes së këtij vendi.

Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi Partinë Demokratike se është anti-amerikane, nisur nga fitorja e Sali Berishës në zgjedhjet për kreun e PD-së. Ai tha se gara e djeshme në PD solli një fitore “kundër” Amerikës, pasi SHBA e ka shpallur non grata ish-kryeministrin Berisha.

Burimi: Euronews