
Të gjithëve na ka ndodhur që të ngatërrohemi ose të bëjmë ndonjë gafë qesharake, por ndryshe nga Rudina Magjistari, gafat tona nuk dalin në televizion. Në 12 vite në televizion, është e pamundur që të mos ngatërrohesh. E ftuar në “Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, moderatorja u pyet në lidhje me ngatërresat që janë bërë virale.
“Rudinën e kam parë në TikTok dhe kam parë që njerëzit qeshin me ty, por pse qeshin sepse unë nuk e kam kuptuar” pyeti një nga vogëlushet.
“Qeshin sepse unë ndoshta kam dëshirë t’i bëj për të qeshur. Më pëlqen të them batuta, më pëlqen të bëj ndonjëherë sikur nuk i kuptoj gjërat, më pëlqen t’i ngacmoj të ftuarit. Ndonjëherë edhe ngatërrohem, si çdo njeri në këtë botë. 12 vite para ekranit, çdo njeri mund të ngatërrohet.” – u përgjigj Magjistari.
Ajo shtoi se është dakord që “që perfeksioni nuk është në modë.” “Madje me pëlqen t’i them gjërat shumë natyrale, kjo ka qenë një nga filozofitë e mia të të punuarit. Dua të jem shumë e vërtetë, shumë natyrale dhe dua që gjërat të më ndodhin natyrshëm. Nuk më pëlqen shumë t’i parapërgatis gjërat. Dua të improvizoj në pjesën më të madhe. Kështu që preferoj të ndodh gjithçka, ta shijoj bashkë me ju dhe unë, si çdo njeri në këtë planet,” përfundoi ajo.
Dy vite më parë, moderatorja i kushtoi një një postim të gjithë njerëzve që sipas saj “habiten nga natyralja dhe spontaniteti”.
“Kaq i rrallë është spontaniteti në këtë vend, natyralja, e vërteta, sa habiten kur e ndeshin. Dhe i duket se ç’gjëmë ka ndodhur! Mesa duket ka aq shumë falsitet e injorancë, sa të jesh vetvetja dhe të bësh një televizion natyral, siç ka qenë filozofi e imja gjithë jetën, duket si herezi. Në vend që të kenaqeni e të shijoni një komunikim joskematik, protestoni se sa poshtë ka rënë televizioni. Po turp, s’ju vjen?!”
Ajo theksoi se ato çfarë në internet konsiderohen si gafa, gjejnë shpjegim edhe te orët televizive në transmetim dhe intensiteti i punës.