Për Papa Françeskun, konflikti Rusi-Ukrainë nuk duhet të shihet në retorikën “të mirët kundër të këqijve” dhe thekson se lufta “ndoshta është provokuar disi”.
Në një intervistë me revistën jezuite La Civiltà Cattolica, zhvilluar muajin e kaluar dhe botuar të martën, Papa dënoi "egërsinë dhe mizorinë e trupave ruse" dhe theksoi se duhet të tregohet kujdes me përcaktimin e konfliktit si e mira kundër të keqes.
“Ne duhet të largohemi nga e ideja Kësulëkuqes, Kësulëkuqja ishte e mirë dhe ujku ishte i keqi,” tha ai. "Diçka globale po shfaqet dhe elementët janë shumë të ndërthurur."
Papa shtoi se disa muaj para luftës ai takoi një kryetar shteti, të cilin nuk e identifikoi, por e përshkroi si "një njeri të mençur që flet pak, një njeri shumë të mençur me të vërtetë ... Ai më tha se ishte shumë i shqetësuar se si NATO po lëvizte. E pyeta pse dhe ai u përgjigj: “Po lehin në portat e Rusisë. Ata nuk e kuptojnë se rusët janë perandorakë dhe nuk mund të pranojnë asnjë fuqi të huaj që t'u afrohet atyre.”
“Ne nuk e shohim të gjithë dramën që shpaloset pas kësaj lufte, e cila, ndoshta, disi ose u provokua ose nuk u parandalua.”
Papa vuri në dukje se ai nuk ishte "pro-Putinit" dhe se do të ishte gabim të thuhej një gjë e tillë. Ai tha gjithashtu se Rusia e kishte “llogaritur gabim” luftën. “Është gjithashtu e vërtetë që rusët mendonin se gjithçka do të përfundonte brenda një jave. Ata u përballën me një popull trim, një popull që po lufton për të mbijetuar dhe që ka një histori lufte”.
Më herët gjatë ditës së sotme, Papa publikoi një mesazh duke thënë se pushtimi i Ukrainës ishte një shkelje e të drejtës së një vendi për vetëvendosje.