Pozitive :)

Gazetari rus shet çmimin Nobel për fëmijët ukrainas

Shkruar nga Anabel

20 Qershor 2022

Gazetari rus shet çmimin Nobel për fëmijët ukrainas

Gazetari rus Dmitry Muratov ka nxjerrë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel për Paqe. Të ardhurat do t'i shkojnë drejtpërdrejt UNICEF-it për të ndihmuar fëmijët e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.

Muratov, i vlerësuar me medaljen e artë në tetor të vitit 2021, ndihmoi në themelimin e gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta dhe ishte kryeredaktori i saj kur u mbyll në mars pas kërcënimeve të qeverisë së Vladimir Putin.

Përpos medaljes, ai do të dhurojë për bamirësi edhe çmimin prej 500,000 dollarë. Muratov tha (via Euronews) se ai ishte i shqetësuar për fëmijët që kanë mbetur jetimë për shkak të konfliktit në Ukrainë. “Ne duam të kthejmë të ardhmen e tyre.”

Gazetari rus shet çmimin Nobel për fëmijët ukrainas

Muratov ndau Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar me gazetaren Maria Ressa nga Filipinet. Të dy u nderuan për betejat për të ruajtur lirinë e fjalës në vendet përkatëse, pavarësisht se u sulmuan nga qeveritë përkatëse.

Për tre dekada, nën udhëheqjen e Muratov, gazeta kishte sfiduar kërcënimet e jashtëzakonshme pasi ka mbuluar korrupsionin e qeverisë dhe biznesit, politikën e Kremlinit dhe konfliktet e armatosura. Disa gazetarë të Novaya Gazeta, duke përfshirë Yuri Shchekochikhin, Anna Politkovskaya dhe Anastasia Baburova, janë vrarë që nga viti 2000, për shkak të hetimeve të tyre.