Çmimi Nobel i Paqes i nxjerrë në ankand nga gazetari rus Dmitry Muratov për të mbledhur para për fëmijët refugjatë ukrainas u shit në New York të hënën mbrëma për 103.5 milionë dollarë, një shifër që theu rekord.
Një zëdhënës i Heritage Auctions, i cili organizoi shitjen, nuk mundi të konfirmonte identitetin e blerësit, por tha se oferta fituese ishte bërë me prokurë. Shitja prej $103.5 milionë ishte 100 milionë franga zvicerane, duke lënë të kuptohet se blerësi nuk është nga SHBA-ja.
"Unë shpresoja se do të kishte shumë solidaritet, por nuk prisja kaq shumë,” tha Muratov në një intervistë.
Më parë, më i paguari ndonjëherë për një medalje të çmimit Nobel ishte kur James Watson, bashkëzbulimi i të cilit për strukturën e ADN-së i dha atij çmimin Nobel në vitin 1962, shiti medaljen për $4.76 milionë dollarë. Tre vjet më vonë, familja e Francis Crick i cili fitoi çmimin së bashku me Watson, mori 2.27 milionë dollarë.
Muratov, i vlerësuar me medaljen e artë në tetor të vitit 2021, ndihmoi në themelimin e gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta dhe ishte kryeredaktori i saj kur u mbyll në mars pas kërcënimeve të qeverisë së Vladimir Putin.
Për tre dekada, nën udhëheqjen e Muratov, gazeta kishte sfiduar kërcënimet e jashtëzakonshme pasi ka mbuluar korrupsionin e qeverisë dhe biznesit, politikën e Kremlinit dhe konfliktet e armatosura. Disa gazetarë të Novaya Gazeta, duke përfshirë Yuri Shchekochikhin, Anna Politkovskaya dhe Anastasia Baburova, janë vrarë që nga viti 2000, për shkak të hetimeve të tyre.