Harry & Meghan Speciale

Pse Archie, djali i Meghan dhe Harry nuk është princ? A mund të jetë në të ardhmen?

Shkruar nga Anabel

27 Qershor 2022

Pse Archie, djali i Meghan dhe Harry nuk është princ? A mund të
Photo Credits: Reuters

Në intervistën e saj me Oprah Winfrey, Meghan Markle tha se kur ajo "ishte shtatzënë, kishte biseda për statusin e fëmijës së saj të ardhshëm, duke përfshirë atë se çfarë titulli ai ose ajo duhet të marrë".

“Ata thoshin se nuk donin që ai të bëhej princ apo princeshë, duke mos ditur se cila do të ishte gjinia, e cila do të ishte ndryshe nga protokolli”, tha ajo.

Çfarë thotë protokolli mbretëror?

Rregullat se kush mund të bëhet princ dhe gjithashtu të referohet si "lartësia e tij mbretërore" (HRH) vijnë nga një letër e lëshuar nga Mbreti George V në nëntor 1917.

Letrat (patenta) janë instrumente ligjore që mund të marrin formën e një letre të hapur nga monarku. Ato mund të përdoren për deklarata mbretërore ose për dhënien e titujve.

Në letrën e vitit 1917, George V deklaronte se stërnipërit e monarkut nuk do të ishin më princa apo princesha, përveç djalit të madh të djalit të madh të Princit të Uellsit.

Në situatën aktuale, kjo do të thotë se princi George, djali i madh i princit William, u bë automatikisht princ, por jo Archie, edhe pse të dy janë stërnipër të Mbretëreshës.

Sipas këtij protokolli, as vëllezërit e motrat e princit George - Charlotte dhe Louis - nuk do ta kishin marrë titullin.

Por në dhjetor 2012, Mbretëresha lëshoi gjithashtu një letër zyrtare, e cila thoshte se të gjithë fëmijët e princit William do të kishin të drejtë të ishin princ/princeshë dhe të merrnin titullin HRH.

Gjithashtu, të qenit princ ose princeshë kalon vetëm në linjën mashkullore, që do të thotë se fëmijët e Princeshës Anne nuk i morën ato tituj pavarësisht se ishin nipërit e Mbretëreshës.

Meghan e dinte qartë protokollin. Ajo iu referua në intervistë një "marrëveshjeje të George V ose George VI" që do të thoshte se djali i saj Archie do të bëhej princ "kur babai i Harry-t të bëhet mbret".

Por ajo vazhdoi duke treguar se i kishin thënë, kur ishte shtatzënë se "ata duan të ndryshojnë marrëveshjen për Archie", në mënyrë që ai të mos bëhej princ.

Ajo nuk ka dhënë më shumë detaje rreth kësaj dhe Buckingham Palace nuk i ka komentuar pretendimet e saj.

Megjithatë, edhe pse Meghan dhe Harry janë tërhequr nga titujt e tyre, reporterja e jetës mbretërore Victoria Murphy thotë se një ditë, Archie mund të vendosë të quhet "princ". 

Burimi: BBC