Celebrity

Dakota Johnson më në fund tregohet e sinqertë për ’50 Shades’: ‘Pranova për një film ndryshe’

Shkruar nga Anabel

1 Korrik 2022

Dakota Johnson më në fund tregohet e sinqertë për ’50
Photo Credits: Focus Features/Courtesy Everett Collection

Dakota Johnson ka zbuluar disa “trazira” në prapaskenë nga “Fifty Shades of Grey” – dhe jo, nuk e kemi fjalën për Jamie Dornan (Christian Grey).

Në një intervistë me Vanity Fair, Johnson e përshkroi procesin e xhirimeve për filmin si "kaos", pjesërisht për shkak të kontrollit kreativ të mbajtur nga autorja e librit, E.L. James, të cilës Johnson i referohet si Erika.

"Pranova të bëja një film shumë ndryshe nga ai që përfunduam duke bërë", tha Johnson.

Në mënyrë të veçantë, ajo zbuloi se James donte të mbante monologët e brendshëm "tepër të çuditshëm" të protagonistes Anastasia Steele në film, edhe pse ata "nuk do të funksiononin për t’u thënë me zë të lartë”.

"Ishte gjithmonë një sfidë”, tha aktorja. "Gjithmonë. Kishte shumë mosmarrëveshje të ndryshme," tha Johnson. "Unë nuk kam qenë në gjendje të flas për këtë me vërtetësi kurrë, sepse kemi dashur ta promovojmë filmin në mënyrën e duhur dhe unë jam krenare për atë që kemi bërë në fund të fundit. Gjithçka rezultoi ashtu siç ishte menduar, por ka qenë e gjitha shumë e ndërlikuar.”

Megjithatë, duket se ndërsa ka pasur mosmarrëveshje artistike, në planin personal nuk ka hatërmbetje.

Sidoqoftë, thashethemet se Johnson dhe Dornan nuk shkojnë mirë, janë ekzagjeruar shumë, të paktën sipas Johnson.

“Ai është si një vëlla për mua. Unë e dua atë kaq shumë”, u shpreh ajo.

Në përgjithësi, Johnson e sheh përvojën, e cila e katapultoi atë në famë ndërkombëtare, si një përvojë pozitive.

“Duhet ta pranojmë se ishte e mrekullueshme për karrierën tonë. Ka qenë e mahnitshme dhe jam me fat. Nuk mendohem për asgjë!”

Burimi: Glamour