Planeti

Tani, valët ekstreme të të nxehtit kanë emra: Pse ka rëndësi?

Shkruar nga Anabel

10 Korrik 2022

Tani, valët ekstreme të të nxehtit kanë emra: Pse ka
Foto: REUTERS/Marcelo del Pozo

Sevilja është bërë qyteti i parë në botë që ka filluar të emërtojë dhe klasifikojë valët e të nxehtit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të rënda si pasojë e ndryshimeve klimatike.

"Ne jemi qyteti i parë në botë që kemi ndërmarrë një hap që do të na ndihmojë të planifikojmë dhe marrim masa kur ndodh kjo lloj ngjarjeje moti," tha kryebashkiaku Juan Espadas.

Valët e të nxehtit do të emërtohen sipas tre kategorive dhe sipas rendit të kundërt alfabetik. Pesë të parët do të quhen Zoe, Yago, Xenia, Wenceslao dhe Vega.

Një arsye kryesore pas proMETEO Sevilla - bashkëpunimi midis qytetit dhe Adrienne Arsht-Rockefeller (Arsht-Rock) - është lidhja e parashikimeve të motit me paralajmërimet shëndetësore.

"Kjo metodë e re ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për ndikimin vdekjeprurës të ndryshimeve klimatike dhe në fund të shpëtojë jetë," thotë Kathy Baughman McLeod, drejtoreshë e Arsht-Rock, një institut kërkimi që kërkon zgjidhje për rreziqet klimatike.

Secila nga tre kategoritë (njëra është më pak e rëndë) do të shoqërohet me një grup të veçantë masash dhe politikash sigurie, si hapja e pishinave të qytetit dhe parqeve ujore, ose aktivizimi i punonjësve shëndetësorë në komunitet që do të kontrollojnë të moshuarit dhe njerëzit e tjerë të rrezikuar.

Emërtimi i valëve të të nxehtit tregon gjithashtu një realitet të rëndësishëm: këto nuk janë më dukuri "të çuditshme" të motit. Njohja e rrezikut për një dukuri të nxehtësisë ose verë jashtëzakonisht të nxehtë mund të lejojë që përgatitjet të ndodhin më përpara.

Kalifornia po konsideron emërtimin e valëve të të nxehtit. Greqia raportohet gjithashtu se po planifikon një sistem të valëve të të nxehtit, pasi vala më e keqe e të nxehtit në dekada shkaktoi zjarre në të gjithë vendin vitin e kaluar.