TV Mania

Rrëfimi pa doreza i Kastro Zizos mbi varësitë dhe familjen është shumë frymëzues

Shkruar nga Anabel

14 Korrik 2022

Rrëfimi pa doreza i Kastro Zizos mbi varësitë dhe familjen

Kastro Zizo mbetet një prej personazheve më interesante dhe kontraverse të showbiz-it shqiptar. Gjithmonë i paraqitur si një djalë pa komplekse, jo rrallëherë Kastro është bërë kryefjala e titujt mediatikë për varësitë e tij ndaj alkoolit dhe lëndëve narkotike, si dhe stilin e tij të jetesës.

Në “Ditë pas dite” me Fjodora Fjorën Kastro Zizo (emri i vërtetë i së cilit është Klevis Bega) tregoi shumë mbi jetën e tij, varësitë e ndryshme dhe se si këto i ndikuan në çdo aspekt të jetës, veçanërisht në atë familjare.

Kastro tregoi se abuzimet me këto substanca kanë qenë një periudhë e errët në jetën e tij dhe se e kuptoi se kishte ardhur momenti për ndryshim gjatë një nate të vështirë, kur artisti ishte përballur me luhatje të mëdha tensioni, duke rrezikuar edhe humbjen e jetës. Të gjithë ngjarjen e kishte dëshmuar i ati i Kastros, i cili i kishte qëndruar pranë dhe në atë çast, Kastro kuptoi se varësia po ndikonte në të gjitha marrëdhëniet e tij, shoqërore, me bashkëshorten, partnerët e biznesit dhe sidomos atë me fëmijët, andaj vendosi t’i jepte vetes një shans të dytë.

Natyrisht, edhe ardhja e Dantes ishte një rilindje dhe paqe për artistin. Kastro tregoi edhe se pasojat e heqjes dorë nga varësia ishte një vrull pendese dhe vrarje ndërgjegjeje për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar vetes dhe të tjerëve gjatë periudhës së abuzimit.

Artisti gjithashtu shprehu të gjithë mirënjohjen dhe dashurinë për partneren e tij, Sarën, e cila e ka mbështetur në rrugëtimin e tij dhe në të gjitha momentet, të këqija apo të mira. Sipas Kastros, Sara ka nerva të hekurta që arrin ta përballojë.

Duke folur pa doreza, Kastro tha se ndoshta nuk ka qenë një baba perfekt, shkaku kryesor ka qenë edhe mosha shumë e re në të cilën është bërë baba (vetëm 22 vjeç), plus edhe faktorët e tjerë, varësitë dhe veset e këqija. Por, krahasuar me atë periudhë (mosha e re, fama dhe varësitë), Kastro tregon edhe veçantinë e të qenit baba në moshën 36-vjeçare, kur në jetë erdhi Dante, djali i tij me bashkëshorten Sarën. Artisti është baba edhe 2 fëmijëve të tjerë (Dankan dhe Nia), me partnere të mëparshme.

Sipas Kastros, sot ai ndoshta nuk është një baba më i mirë, por është i përkushtuar dhe prezent, si dhe ka ndërtuar një familje të bukur me Danten, Sarën dhe qenin e tyre të lezetshëm.

Kështu, “rebeli” i showbiz-it shqiptar dha disa mesazhe shumë të qarta dhe të forta, në të cilat na bën të reflektojmë mbi jetën dhe të ardhmen tonë, varësitë dhe përvojat që ndikojnë në jetën dhe raportet tona. Kastro, nga i pandreqshëm në i përkushtuar, është një rrugëtim frymëzues dhe revolucion mendor, shpirtëror dhe fizik.

Ne jemi qenie me plot potencial, thjesht duhet të dimë ku ta kanalizojmë energjinë dhe sot, kur Kastro ka gjetur paqen dhe energjinë e tij, dime të themi se është versioni më i mirë për veten dhe familjen e tij.

Shënim: Anabel.al tashmë edhe në aplikacion – për ta shkarkuar klikoni këtu për iOS dhe këtu për Android.