Postimet e fundit në Instagram, Ajola Xoxa ja ka dedikuar dy prej njerëzve më të rëndësishëm të saj:gjyshit dhe gjyshes. Kjo e fundit, feston përvjetorin e 88-të dhe Ajola nuk u kursye të ndante me ndjekësit copëza nga jeta e veçantë e gjyshes dhe historia e rrallë e dashurisë që pati fatin të përjetonte.
"Në foton e parë, gjyshja ime Ganimet Vendresha, është 25-vjeç. Sot ajo mbush 88-vjeç. Më e vogla e 8 fëmijëve. 16-vjeç u largua për në moskë, për të studiuar pranë Shkollës së Baletit të Bolshoi Teater, e në këtë udhëtim u njoh me gjyshin tim. Atje jetuan 8 vite e kur u kthyen themeluan Shkollën e Baletit e më vonë, ishin drejtuesit e parë të baletit në themelimin e Teatrit të parë të Operas dhe Baletit në Shqipëri.
Gjyshi ka patur pasion fotografinë, duke na lënë një pasuri ta pamatshme. Gjithashtu, ai ka mbajtur ditar deri në fund të jetës së tij. Që e vogël nisa ta lexoja dhe është ndër historitë e para të dashurisë që kam lexuar përmes fjalëve të vetë gjyshit, nga djalë në burrë. Eshtë edhe më e bukura. Dashuria (edhe jeta) e tyre ka qenë si ato që ëndërrojmë të gjithë: e vërtetë, e pafund, e pamposhtme, pa hije.
Sot, gjyshja mbush 88 vjeç dhe në 6 javët e fundit ka hyrë e ka dalë nga spitali 3 herë. Një pjesë të saj e kemi humbur përgjithmonë. Javët e fundit kanë qenë shumë të rënda për familjen tonë. Unë jam rritur nga dy prindërit e mi dhe kjo gjyshe, e pas humbjes së babit 3 vite më parë, sëmundja e gjyshes më ka copëtuar shpirtin, por në të gjithë këtë trishtim vazhdoj mendoj se një jetë si jeta e saj është fati më i madh që dikush mund të ketë. 88 vite të mbushura me dashuri, shumë dashuri, me qetësi, mirësi, besim dhe vërtetësi, duke kërkuar të mirën e të bukurën në çdo gjë."-shkruan ndër të tjera Ajola, e cila e mbyll dedikimin ndaj gjyshes duke i uruar jetë të gjatë dhe duke shprehur mirënjohjen për fatin e madh që ka si mbesa e saj.
Here pas here, Ajola Xoxa ndan në llogarinë e saj të Instagramit copëza kujtimesh të vjetra nga gjyshërit e saj të hijshëm, që dukshëm bien në sy për elegancën dhe stilin e veçantë gjatë atyre viteve.