“Dancing with the stars” nis në tetor në ekranin e Top Channel dhe ditë pas dite zbulohen detaje të reja nga spektakli i shumë përfolur i kërcimit.
Pas zbulimit të konkurrentëve, vjen radha e panelit të jurisë! Emri i parë i bërë publik është padyshim ai i Kledi Kadiut, një prej balerinëve më të famshëm në Shqipëri i cili prej vitesh vazhdon suksesshëm karrierën e tij në Itali.
Lajmin e konfirmoi vetë Kledi pak orë më parë përmes një postimi në Instagram.
"Sa herë që kthehem në Tiranë, në familjen time përjetoj me emocion të gjithë periudhën e fëmijërisë dhe rinisë time. Janë këto arsyet që më bëjnë entuziast për të ndarë me ju lajmin e ftesës nga Top Channel për të qenë kryetar i Jurisë në programin "Dancing with the stars". Eshtë një nga mundësitë më të bukura për të ndarë eksperiencën time artistike me publikun shqiptar që është treguar gjithmonë i ngrohtë dhe i dashur me mua."- shkruan ndër të tjera balerini.
View this post on Instagram
Nga ana tjetër, Lori Hoxha ndau publikisht kujtimet që ruan nga takimi i parë që ajo dhe Sara, (producentja e spektaklit) patën dikur me Kledi Kadiun, të cilin 16 vite më vonë do ta ftonin për një eksperiencë krejt ndryshe.
"I kam dhënë dorën për herë të parë Kledit në moshën 13-vjeçare kur im atë "më detyronte mua dhe Sarën të udhëtonim çdo ditë pas shkolle të për t'u ushtruar në akademinë e tij të baletit në Romë. Në fjalët e tij, Kledi ishte balerini më i mirë shqiptar dhe ne nuk mund të shkonim diku tjetër. Kledi nuk vinte shpesh aty, por një nga kujtimet e mia të para me të ka qenë pikërisht në një nga studiot e baletit teksa unë dhe dhjetra vajza e djem përgatiteshim për shfaqje..."- shkruan ndër të tjera Lori teksa e falenderon për pjesëmarrjen në DWTS.
“Dancing with the stars” do të prezantohet nga Bora Zemani dhe do të vijë nën kujdesin e Sara Hoxhës si producente. Mes emrave të yjeve që do të konkurojnë për çmimin e parë janë: Sara Hoxha, Isli Islami, Megi Pojani, Julka Gramo, Alban Nimani, Salsano Rrapi, Elhaida Dani, Irini Qirjako, Arbër Çepani, etj.