"Ajo ka veshur xhinse të bardha," postoi Delphine Daviet në Facebook, "një bluzë të bardhë me kapuç dhe çantën e saj gri". "Na ndihmoni ta gjejmë atë," u lut ajo për vajzën e saj. Nën mesazhin e Delphine, dy foto shoqëruan postimin. Në njërën, një vajzë e vogël, Lola 12-vjeçare, i buzëqesh kamerës, në tjetrën, një foto me piksele nga pamjet e kamerave të sigurisë tregon një grua në një derë.
Trupi i Lolës u gjet i gjymtuar dhe i futur në një kuti plastike, vetëm disa orë pasi nëna e saj postoi këtë mesazh më 14 tetor. Nëna e saj tha se Lola u pa për herë të fundit me gruan që duket në kamera, të cilën ata nuk e njohin. Të dyja u panë në kamerat e sigurisë në orën 15:15 të premten, vetëm pak minuta pasi Lola kishte lënë shkollën, duke hyrë në ndërtesën ku jetonte, sipas deklaratës së prokurorit të policisë së Parisit.
Rreth orës 17:00, gruaja doli nga ndërtesa, e vetme, duke mbajtur bagazhe të rënda. Tre orë më vonë, babai i Lolës dha alarmin, duke njoftuar policinë për zhdukjen e Lolës, shton deklarata.
Pak pas orës 23:00, trupi i Lolës u gjet në një kuti plastike me rrota, i braktisur në ambientet e përbashkëta jashtë ndërtesës së familjes, ku babai i Lolës punon si portier, thuhet në deklaratë.
Të hënën, autoritetet franceze hapën një hetim gjyqësor zyrtar mbi çështjen me akuzën e “vrasjes së një të mituri nën moshën 15 vjeç, shoqëruar me përdhunim të një të mituri, torturë ose akte egërsie; përdhunimi i një të mituri me torturë ose akte egërsie; dhe fshehja e një kufome.”
Një autopsi e Lolës zbuloi se ajo vdiq nga dështimi kardiorespirator me shenja asfiksie. Ajo kishte lëndime të tjera të shumta, “veçanërisht në fytyrë, shpinë dhe me prerje të mëdha në qafë, të cilat nuk luajtën ndonjë rol në vdekjen e saj". Nuk kishte asnjë shenjë të lëndimeve nga trauma seksuale, tha prokurori i policisë, dhe numrat 0 dhe 1 ishin të shkruara me të kuqe nën secilën prej këmbëve të viktimës.
Policia ndaloi të dyshuarën kryesore në këtë rast, një grua 24-vjeçare, e cila nuk bëhet e ditur, pak para orës 8 të mëngjesit të së shtunës, një ditë pas vrasjes së Lolës, në periferi të Parisit.
Sipas deklaratës së prokurorit policor, rrëfimi i gruas “kaloi mes pranimit dhe mohimit të fakteve”, por ajo zbuloi se e kishte çuar Lolën në banesën e motrës së saj, e cila jetonte në të njëjtin bllok pallatesh. Atje, sipas deklaratës, ajo tha se e detyroi vajzën të bënte dush përpara se “të kryente sulme seksuale dhe dhunë tjetër ndaj saj që rezultoi në vdekjen e saj”, përpara se të fshihte trupin e fëmijës në kutinë plastike.
Policia ka ndaluar gjithashtu një 43-vjeçar, një i njohur i 22-vjeçares, i cili ka rrëfyer se ka transportuar 24-vjeçaren me valixhet dhe kutinë plastike në shtëpinë e tij jashtë Parisit.
Sipas njoftimit të prokurorit policor vijojnë hetimet për zbardhjen e saktë të ngjarjeve rreth vrasjes.
Burimet: CNN, Guardian