Eja shohim pak Tv

Të kesh turp nga emri yt: Ç’mësojmë nga kjo histori te ‘Shihemi në gjyq’

Shkruar nga Anabel

31 Tetor 2022

Të kesh turp nga emri yt: Ç’mësojmë nga kjo histori

Tek “E diela shqiptare” u trajtua së fundmi një histori jo fort e zakontë: Gazmendi, një djalë i lindur në Shqipëri dhe i rritur në Greqi, kishte thirrur në “Shihemi në gjyq” të ëmën, duke e fajësuar për gjithë peripecitë që ai kalon për shkak të emrit. Po ç’të keqe ka emri Gazmend?!

I riu, i cili në Greqi përdor emrin Panajot, la të nënkuptuar se ka qenë objekt talljeje dhe bullizmi për shkak të emrit, i cili në gjuhën greke shqiptohet në një formë që ngjason me fjalën “kazmë”. Komentet, të qeshurat tallëse dhe fyese e kanë shoqëruar në shumë situata kur i duhet të thotë emrin e vërtetë. Gazmendi rrëfeu se çështja e emrit është kthyer në burim ankthi për të (madje merr edhe medikamente për t’u qetësuar). Ai tregoi se e ëma i kishte premtuar që do t’ia ndryshonte, por nuk e bëri.

Ndryshe nga vite më parë, ku emri ndryshohej fare lehtë, sot nuk është një procedurë e thjeshtë në legjislacionin shqiptar. Për ta ndryshuar, individi duhet të paraqesë arsye bindëse. Në këtë rast, Eni Çobani theksoi se duhet të merret në konsideratë realiteti në të cilin Gazmendi jeton (pra, në Greqi).

Ndryshimi i emrit është një e drejtë që duhet respektuar. Në një mënyrë ose në një tjetër, emri mund të formojë mënyrën se si e perceptojmë veten dhe të tjerët. Askush (as prindërit) nuk duhet të ofendohet nëse dikush dëshiron të ndryshojë emrin; është e drejtë e tij.

Megjithatë, përtej këtij vendimi, ka edhe një anë tjetër. Sigurisht, mund t'i kuptojmë barrierat gjuhësore dhe dallimet kulturore, por ndoshta Gazmendi nuk do të kërkonte medoemos të ndryshonte emrin në rast se njerëzit nuk do ta kishin tallur, por do të ishin përpjekur ta thonin saktë dhe ta respektonin; nëse do të mësonin një emër që nuk është i njohur për ta, në vend që të qeshnin për faktin që është “ndryshe” ose “i çuditshëm”.

Një ëmër është më shumë se një ëmër. Është histori. Është një kujtesë se pavarësisht ku shkon, të kujton se nga vjen. Ndonjëherë është e vështirë për njerëzit që të mësohen me një emër, por mosdija nuk mund ta justifikojë bullizmin dhe injorancën e tyre.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.