Shkencëtarët kanë ngritur shqetësime për një variant të ri Covid që po përhapet me shpejtësi në SHBA dhe po kërcënon të shkaktojë valë të mëtejshme infeksioni.
Si njihet?
Njihet si XBB.1.5 dhe është një nga pasardhësit e fundit të Omicron, versioni i transmetueshëm i Covid që shkaktoi rritje të rasteve dimrin e kaluar. Nënllojet e Omicron kanë dominuar infeksionet globale të Covid që atëherë. XBB.1.5 ka evoluar nga varianti XBB i Omicron dhe është në vetvete një bashkim i dy varianteve të ndryshme BA.2.
Sa shpejt po përhapet?
Varianti duket se është përhapur në New York në fund të tetorit. Në fund të dhjetorit, numri i rasteve në SHBA u dyfishua në një javë. Tani, ky variant i ri përbën 40% të të gjitha infeksioneve të Covid në SHBA. Fakti që është rritur numri i shtrimeve në spital, ka shtuar frikën se XBB.1.5 mund të shkaktojë valë të mëtejshme të sëmundjes.
Pse po përhapet kaq shpejt?
Varianti ka një mutacion të pazakontë të njohur si F486P që po e ndihmon atë të përhapet. Mutacioni ndryshon një pjesë të virusit Covid që synojnë shumë antitrupa nga vaksinimi ose infeksioni i mëparshëm. Ndryshimi i bën antitrupat më pak efektivë në neutralizimin e virusit.
A shkakton simptoma më të rënda?
Nuk ka asnjë provë që XBB.1.5 shkakton sëmundje më të rëndë se variantet e tjera të Omicron. Por fakti që po përhapet me shpejtësi është shqetësues, pasi virusi ka më shumë gjasa të infektojë njerëzit në rrezik për t’u shtruar në spital apo për të ndërruar jetë nga infeksioni, veçanërisht nëse nuk janë vaksinuar apo nuk kanë kryer një dozë përforcuese.
Çfarë këshillojnë shkencëtarët?
Vaksinat mbeten mënyra më e mirë për t’u mbrojtur kundër Covid, por masat paraprake ndihmojnë gjithashtu, si zvogëlimi i kontakteve, mbajtja e maskave në hapësira të mbyllura dhe izolimi nëse keni simptoma.