Këtë vit, në shumë aspekte mund ta quani të favorshëm! Kryefjalët janë: zbulimi dhe mirëkuptimi. Do të keni disa arritje të mëdha në shumë sfera dhe planetet do t’ju ndihmojnë që rrugëtimi të jetë sa më i lehtë dhe i këndshëm.
Por, kini kujdes nga shoqëria dhe disa barriera me të cilat do të haseni. Mos harroni të jeni autentikë dhe të keni durim. Qëndroni me këmbë në tokë, pasi gjatë vitit do të përballeni me disa kthesa, të cilat do t’ju bëjnë që të hapni sytë në shumë drejtime. Dhee qëndroni larg mënyrave të rrezikshme për të ndërtuar një jetë të mrekullueshme, sado joshëse të jetë ideja.
Koha, të dashur Shigjetar, është mësuesja më e mirë për të gjithë, sepse të shëron plagët dhe të mëson të vlerësosh gjërat. Njerëzit, çastet, vetë fati ndryshojnë me kalimin e kohës dhe nëse ju qëndroni në të njëjtën pikë, këtu nis problemi. Dilni nga lëkura e vjetër dhe kryeni metamorfozën, pasi kjo do t’ju sjellë veç të mira, në çdo aspekt.
Këtë vit do të keni një qasje më pozitive ndaj jetës, ndaj do të ndiheni në formë për të vendosur edhe rrjedhën e ardhshme të jetës. Do të punoni më shumë se kurrë dhe do të shkëlqeni në karrierë.
Dashuria
Shigjetarët beqarë do të kenë shumë dëshirë të gjejnë dikë të ri në jetën e tyre. Edhe pse shumica e tyre beson se dashuria i shpërqendron, sërish do të keni dëshirë të dilni nga guaska dhe të gjeni personin e duhur. Nëse arrini të gjeni dashurinë në janar, atëherë shkurti do të jetë i paharrueshëm, falë energjisë së Afërditës.
Por, mos i merrni gjërat me nxitim, sepse mund ta trembni personin tjetër dhe të pendoheni për vendimet tuaja.
Pas qershorit, gjysma e dytë e vitit ju vendos në sprova të shumta. Deri në tetor, do të keni disa sfida në marrëdhënien tuaj dhe ne ju sugjerojmë që t’i lini kohën e duhur partnerit.
Si Shigjetarë që jeni, keni tendencën që të mendoni se jeni më të zgjuar se partneri/ja, por ka ardhur momenti të ndaloni. Përpiquni të jeni sa më mirëkuptues dhe mbështetës.
Karriera
Parashikohen super mundësi në aspektin e karrierës, të cilat kombinuar me aftësitë tuaja, do të sjellin një periudhë të ndritur. Do të jeni të motivuar dhe gati për të investuar në biznesin dhe idetë tuaja. Sugjerojmë që investimet t’i bëni pas prillit, pasi muajt e parë nuk janë shumë favorizues.
Më shumë se kurrë më parë, do të keni shanse të larta të përfitoni një promovim apo rritje page, pas muajit mars. Këto do të sjellin shumë përfitime financiare, sigurisht, edhe konkurrencë, e cila mund të vendosë në provë mirëqenien e shëndetit mendor.
Gjatë muajve të parë, do të keni mundësi të gjeni punën e ëndërruar dhe nëse jeni gati për një ndryshim në karrierë, ju sugjerojmë prillin, muajin e duhur për të ndërruar punë. 2023-shi është viti i realizimit për ju, ndaj do të keni një dëshirë të ethshme për të provuar gjëra të reja. Do të kuptoni se jeni më të aftë se sa mendoni dhe në gjysmën e dytë të vitit do të fuqizoni reputacionin tuaj në kompani dhe në treg.
Gjatë tremujorit të fundit, do të udhëtoni për çështje pune dhe kjo do t’ju ndihmojë të rriteni edhe më shumë në karrierë. Nga tetori, bëni pak kujdes me kolegët, pasi mund t’ju shkaktojnë dëme serioze në punë.
Financat
Siç e thamë edhe më sipër, në 2023-shin do të keni rritje të financave, por edhe dëshirë për t’u zhvilluar në karrierë. Do të përqendroheni në kursim dhe mënyra se si të rrisni të ardhurat, sidomos pas marsit. Fillimi i vitit ju ndihmon në rikuperimin e shumave të shpenzuara më parë, edhe pse disa çështje të vjetra që lidhen me paratë dhe pronat do të kërkojnë kohë për t’u zgjidhur.
Këtë vit, veçanërisht në prill, do të arrini një sukses të madh, por nuk do të kënaqeni me kaq. Nëse keni bërë investime në të kaluarën, mos prisni që të merrni mbrapsht para, sidomos në 6-mujorin e parë. Por, në pjesën e dytë të vitit, do të zvogëloni humbjet dhe do të shpërbleheni.
Mos u shqetësoni për udhëtimet, pasi çdo qindarkë e shpenzuar për to, është një vendim i drejtë. Do të shijoni pasionet, paratë dhe sendet luksoze që i pëlqeni aq shumë, pasi do të keni më shumë të ardhura, sepse shëndeti nuk do t’ju shqetësojë aspak në gjysmën e parë të vitit.
Disa shpenzime të vogla për shëndetin mund të keni nga muaji korrik, ndërsa fundi i 2023-shit ju motivon të investoni në pasuri të paluajtshme, pasi fati është në anën tuaj.
Artikuj të sugjeruar: