
Tatjana Patitz u nda nga jeta dje, në moshën 56-vjeçare dhe shkaku i vdekjes është zbuluar nga agjenti i saj, i cili bëri me dije se supermodelja humbi jetë për shkak të kancerit të gjirit.
“E tepërt të themi se jemi të shkatërruar nga humbja e saj. Ajo ishte një shpirt i dhembshur, i sjellshëm, kishte një zemër bujare dhe mbronte të drejtat e kafshëve”, tha agjenti i saj.
Supermodelja e lindur në Gjermani dhe e rritur në Suedi, e nisi karrierën në moshën 17-vjeçare dhe mbetet një nga ikonat e bukurisë së industrisë të modelingut në Europë. Edhe pse së bashku me të birin dhe kafshët e saj, jetoi një jetë shumë private, Tatjana la pas një trashëgimi të tërë në pasarelat ku modeloi.
Gjatë karrierës së saj, Tatjana ishte modele e markave të mirënjohura si: Chanel, Donna Karan, Vivienne Westwood dhe shumë të tjera. Shfaqja e saj e fundit do të ishte në 2019-ën, në Javën e Modës në Milano, ku ajo prezantoi veshje të koleksioni vjeshtë-dimër të markës Etro.