Shigjetari
Edhe pse ka vetëm 28 ditë, shkurti është i mbushur me aksion dhe përmban: udhëtime, romancë dhe ca investime të vockla në shtëpi.
Shkurti të prezanton menjëherë me Hënën e plotë në Luan dhe kjo do të thotë një mundësi e re për të udhëtuar nëpër botë, pasi ky muaj është një element kyç për dëshirën tënde për të zbuluar kultura dhe vende të reja.
Por, Urani trazovaç të përball me disa sfida acaruese, sidomos me pajisjet teknologjike. Ruaj telefonin, laptopin dhe gjithçka që përdor në epokën e teknologjisë. Kujdesu edhe për privatësinë tënde në rrjetet sociale. Kjo fuqi e Uranit mund të ndikojë edhe në projektet me të cilat po punon, pasi papritur mund ta gjesh veten të ngecur në një ide apo detyrë. Karriera jote do të ketë dy data shumë të rëndësishme, të cilat duhet t’i mbash mend: 17 dhe 22 shkurt!
Gjatë këtij muaji, mund të përballesh edhe me shqetësime shëndetësore, për shkak të pagjumësisë, kequshqyerjes, apo orëve të gjata në punë. Kujdesu për veten dhe trajtoje trupin dhe mendjen me dashuri. Nëse ditëlindja jote përkon me 8 dhjetorin, plus, minus 5 ditë, do t’i ndjesh shumë efektet e Saturnit.
Një bashkëpunim i bukur dhe frytdhënës do të shfaqet në horizont, i cili mund të kthehet edhe në një raport të këndshëm romantik. Meqë ra fjala, Shën Valentini të gjen në një pozitë shumë të mirë romantike.
Dashuria bekohet nga bashkëveprimi i Afërditës dhe Neptunit te Peshqit, ndaj një mbrëmje magjike, e mbushur me dashuri dhe llastime të pret. Me shumë gjasa, do të duash privatësi, ndaj mund ta festosh me personin e zemrës, në shtëpi.
Megjithatë, do të përballesh edhe me ca probleme të vogla, që do të kërkojnë të vendosësh dorën në kursimet e tua. Një defekt në makinë, apo investime të nevojshme në shtëpi, do të të detyrojnë të shpenzosh disa para.
Shpenzimet me shtëpinë mund të lidhen edhe me investimin në blerjen e një shtëpie, ose rinovimin e banesës. Mund të jesh gati për hapin e madh, të cilin të sugjerojmë ta marrësh në datën 19 shkurt.
Ndërkohë, data 17 shkurt është një ditë e artë për të kryer një intervistë, për të prezantuar një ide gjeniale tek eprorët, apo për të bërë një prezantim te një klient potencial. Gjithçka që lidhet me biznesin dhe karrierën do të ecë mbarë në këtë ditë.
Bricjapi
Të gjithë e kanë vënë re sa shumë ke punuar, Bricjap dhe më 5 shkurt, do të marrësh disa lajme shumë të mira që lidhen me financat. Me shumë mundësi do të vjelësh frytet e përkushtimit tënd të vazhdueshëm dhe financat e tua do të arrijnë në një fazë shumë të qëndrueshme. Do të përballesh me disa çështje që lidhen me paratë në 4 dhe 10 shkurt.
Çështja mund të lidhet edhe me një pagesë të majme që je i/e detyruar të kryesh dhe kjo do të të kapë pak në befasi, gjithsesi, do ia dalësh! Kjo periudhë pak kaotike do të marrë fund në 25 mars, ndaj le të rikthehemi në 14 shkurt, në ditën e Shën Valentinit, e cila do të sjellë më shumë afrimitet për të dashuruarit, por jo pa sfida.
Saturni të risjell probleme financiare dhe të rikujton disa premtime të pambajtura. Kjo periudhë do të të përballë me lodhje dhe ndjeshmëri të lartë ndaj kritikave, ndaj do të lindin edhe disa debate.
Por, nuk do të mungojnë surprizat, ndaj në 14 dhe 15 shkurt do të përballesh me disa momente shumë të bukura romantike, ku do të krijosh një lidhje shumë më të thellë dhe solide me personin e zemrës. Gjatë kësaj periudhe mund të planifikoni një arratisje romantike me personin e zemrës, diku larg, me një gotë verë, gështenja dhe një zjarr bubulak.
Hëna e re e 19 shkurtit të risjell në vëmendje një kontratë të vjetër, të cilën do ta firmosësh shpejt dhe do të të duhet ta marrësh shumë seriozisht. Por, pavarësisht punës, ky muaj të sjell edhe shërim dhe transformim. Nëse ke shtyrë një vizitë mjekësore, është momenti ta bësh tani.
Gjatë kësaj periudhe, menaxho financat, mendo për dashurinë dhe pse jo, udhëto dhe vizito vende të reja.
Për punën, nuk ta kemi merakun.