
Ed Sheeran u shpreh për “Rolling Stone” se gjatë gjithë jetës ka vuajtur nga depresioni, por vitin e kaluar, të gjitha ndjesitë negative dolën në sipërfaqe. Pas vdekjes së miqve të tij, Jamal Edwards dhe Shane Warne në 2022-shin, Ed ndihej sikur nuk donte të jetonte më.
Këngëtari tha se mendonte se idetë e tij ishin egoiste, duke qenë se është baba i dy vajzave të vogla. Ai theksoi se forcën e gjeti te bashkëshortja, Cherry Seaborn, e cila e inkurajoi të merrte ndihmën e duhur.
“Askush nuk flet për ndjesitë në vendin tim. Njerëzit mendojnë se është e çuditshme që të kërkosh një psikolog në Angli. Unë mendoj se është shumë e dobishme që të flasësh me dikë, të shprehesh dhe të mos ndihesh keq për ato që thua”, shtoi ai.
Ed, nënvizoi se ndihma nuk është me buton dhe se nuk përmirësohesh direkt. Është një proces i gjatë dhe i vështirë. “Ndihma nuk është një buton, të cilin ti e shtyp dhe automatikisht je okay. Do të jetë gjithnë prezente dhe duhet të menaxhohet”-
Miku i tij, Jamal, vdiq nga një sulm në zemër në shkurt të vitit 2022, pas përzierjes së kokainës me alkoolin. Sheeran tha se kjo tragjedi e ndihmoi të linte pas varësitë e tij, të cilat i kishte nisur në fund të 20-ave.
Më pas, ndodhi edhe vdekja e Shane Warne, për shkaqe natyrore.
Pak kohë pas vdekjes së Jamal, Ed merr vesh se gruaja e tij u diagnostikua me tumor gjatë shtatzënisë dhe se nuk mund të operohej pa lindur vajza. “Ndihesha kaq i pafuqishëm. Nuk mund të bëja asgjë”, tha Ed.
Gruaja e tij e lindi vajzën e vogël, Jupiter dhe më pas, iu nënshtrua një operacioni që doli me sukses.
Të gjitha ndjesitë dhe sfidat, Ed i ka shprehur në albumin e tij të ri Subtract” dhe në foton e kopertinës, është vetë artisti nën ujë, duke nënkuptuar kështu “mendimet më të thella dhe më të errëta”. Ai foli për tumorin e bashkëshortes shtatzënë, vdekjen e mikut të ngushtë dhe gjyqin në të cilin u përfshi.
“Kam punuar me “Subtract” për një dekadë, duke u munduar të krijoj albumin akustik perfekt, duke shkruar dhe regjistruar qindra këngë me vizionin e qartë se si do të ishin. Pastaj, në fillim të 2022-shit, një seri ngjarjesh ndryshuan jetën, shëndetin tim mendor dhe si përfundim, mënyrën se si e shoh muzikën dhe artin”, u shpreh këngëtari.
Sheeran theksoi se ky album simbolizon emocionet e tij dhe periudhën kur ndihej sikur po mbytej. Ai tregoi se ky krijim është një dritare e shpirtit të artistit dhe një pikëpamje e sinqertë dhe e vërtetë e jetës së tij.
Artikuj të sugjeruar: