Gwyneth Paltrow e ka fituar betejën gjyqësore në lidhje me aksidentin në vitin 2016 në një vendpushim skish në Utah, pasi gjykata vendosi se aktorja nuk ishte fajtore.
Anëtarët e panelit hodhën poshtë padinë e një optometristi në pension, mjekut të syrit, Terry Sanderson, 76 vjeç, dhe thanë se ai ishte 100% fajtor për incidentin.
Vendimi shënon një humbje për Sanderson, njeriun që paditi Paltrow për më shumë se 300,000 dollarë për dëmtimet që mori kur u përplasën teksa bënin ski. Të dy fajësuan njëri-tjetrin për përplasjen.
Paltrow kërkoi 1 dollar dëmshpërblim dhe tarifat e avokatit, një veprim simbolik njësoj si Taylor Swift ndaj padisë për shpifje të një drejtuesi radioje. Swift u shpërblye me 1 dollar në vitin 2017.
Ekipi mbrojtës i Paltrow u përpoq ta përshkruante Sanderson si një burrë të zemëruar, të moshuar dhe josimpatik, i cili me kalimin e viteve ishte "i fiksuar" me padinë kundër saj.
Ata argumentuan se Paltrow nuk ishte fajtore për përplasjen dhe gjithashtu thanë se Sanderson po mbivlerësonte shkallën e lëndimeve që kishte marrë.
Publiku në mbarë botën e ndoqi gjyqin sikur të ishte një serial televiziv.