
Aktori francez Vincent Cassel ka fshirë të gjitha fotot me modelen Tina Kunakey nga Instagrami, duke ngjallur spekulime se çifti i ka dhënë fund martesës 5-vjeçare.
Aktori 56-vjeçar dhe modelja 26-vjeçare, Tina Kunakey janë lidhur në vitin 2018 dhe kanë një vajzë të vogël, Amazonie, e lindur në prill të 2019-ës.
Burimet thanë për “DailyMail” se çifti po shkon drejt divorcit. “Ata janë ndarë disa javë më parë. Tina është zemërthyer”, u shpreh burimi.
Zërat u shtuan edhe pasi dje, për ditëlindjen e Tina-s, nuk pati asnjë postim dhe asnjë urim nga bashkëshorti, pavarësisht morisë së ripostimeve që Tina bëri në Instastory. Nga ana tjetër, Vincent poston vetëm foto që kanë lidhje me punën dhe të njëjtën gjë bën edhe modelja.
Kushdo që e ka ndjekur çiftin e di se ata shumë shpesh ndanin foto të njëri-tjetrit apo të momenteve që kalonin së bashku dhe s’e kursenin kurrë dashurinë, ndaj sigurisht, kjo mungesë postimesh dhe ky ndryshim rrënjësor bie në sy. Ndërkohë, ata e ndjekin ende në Instagram njëri-tjetrin.
Vincent dhe Tina kanë një lidhje të gjatë, e cila u bë zyrtare në Instagram në vitin 2016. Asokohe, Tina ishte 19 vjeç dhe diferenca e moshës ngriti shumë dyshime për ecurinë e marrëdhënies. Dy vite më vonë, çifti u martua në Francë dhe më 2019-ën, mirëpritën vajzën, Amazonie.
As Tina dhe as Vincent nuk kanë folur për këtë tematikë dhe kjo s’po i ndal aspak zërat që pretendojnë se ata janë ndarë.