Shendet i Pergjithshem

10+ lloje të dhimbjeve të kokës: Ja si t'i dalloni

Shkruar nga Anabel

12 Prill 2023

10+ lloje të dhimbjeve të kokës: Ja si t'i dalloni

Dhimbjet e kokës janë një sëmundje e zakonshme që shumë njerëz e përjetojnë herë pas here. Megjithatë, jo të gjitha dhimbjet e kokës janë të njëjta dhe ato mund të ndryshojnë në varësi të dhimbjeve, kohëzgjatjes dhe shkakut. Në fakt, ekzistojnë mbi 10 lloje të ndryshme të dhimbjeve të kokës, secila me simptomat e veta.

1. Dhimbjet e tensionit

Dhimbja e kokës e shkaktuar për shkak të tensionit është më e zakonshmja. Ndjehet një dhimbje e vazhdueshme ose presion rreth kokës, sidomos në pjesën e prapme të saj dhe qafës. Dhimbjet nuk janë aq të forta sa migrena dhe zakonisht nuk shoqërohen me të vjella, trajtohen me medikamente si aspirina, ibuprofeni, acetaminofen etj.

2. Dhimbjet e llojit Cluster

Dhimbjet e kokës përsëriten rregullisht disa herë në ditë për disa periudha kohore dhe më pas pushojnë për muaj apo vite me radhë. Ndjehen dhimbje në njërën anë të kokës, në zonën e syrit dhe shoqërohen me hundë të bllokuara. Shkaku i dhimbjeve është i panjohur dhe mund të lidhet me gjenetikën. Nuk ka shërim, por vetëm medikamente që zvogëlojnë kohëzgjatjen dhe fuqinë e dhimbjeve.

3. Dhimbjet nga infeksione sinusi

Sinusi përhapet gjatë infeksioneve dhe shkakton dhimbje koke, shoqëruar me temperaturë, hundë të bllokuara. Dhimbjet ndjehen në zonën e përparme të fytyrës duke prekur hundën dhe pak ballin dhe mollëzat.

4. Dhimbjet rikoshet

Përdorimi i tepërt i medikamenteve për dhimbje koke, si për ironi, mund të shkaktojë dhimbje koke. Arsyeja kryesore është mbingarkesa me ilaçe që i bën njerëzit gjithnjë e më “të dëshpëruar” për të kërkuar më shumë doza. Për shembull, nëse pini ilaçe kundër dhimbjes së kokës dy herë në javë për 10 muaj me radhë, atëherë në të ardhmen jeni të rrezikuar nga dhimbje të tilla.

5. Migrena

Dhimbjet e migrenës janë të rënda dhe tre herë më të zakonshme te gratë sesa të burrat. Shkaku është ende i paqartë, por gjenet luajnë rol të rëndësishëm. Simptomat e migrenës janë: dhimbje në njërën anë të kokës, kriza të forta, të vjella, ndjeshmëri ndaj dritës dhe zërit të lartë etj. Po kështu ndikojnë edhe ndryshimet hormonale, stresi dhe gjumi.

6. Dhimbjet për shkak të problemeve me dhëmbët

Në disa kushte, dhëmbët janë të lidhur me dhimbjet e kokës. Zakonisht shtrirja e keqe e nofullës, stresi dhe qëndrimi i gabuar mund të ndikojnë te kërci, muskujt dhe ligamentet e nofullës.

7. Dhimbjet nga kafeina

Nëse pini rregullisht kafe çdo ditë në orën 9 të mëngjesit, por të shtunave jeni në gjumë në atë orë, me siguri që do të zgjoheni me dhimbje koke. Në këtë rast keni dy mundësi: ose pini kafe dhe dhimbja do të kalojë, ose durojeni dhe më vonë mos konsumoni kafe deri në atë pikë sa të bëheni të varur.

8. Dhimbjet e kokës nga orgazma

Këto dhimbje janë të rralla dhe më të zakonshme të të rinjtë, kryesisht te djemtë. Momenti pas orgazmës shoqërohet me dhimbje koke që mund të zgjasë disa orë deri në një ditë. Nuk dihen ende shkaqet e këtyre dhimbjeve, por specialistët këshillojnë që të vizitoni mjekun nëse ju ndodhin shpesh.

9. Dhimbjet e kokës herët në mëngjes

Nëse zgjoheni me dhimbje koke, ka disa faktorë të mundshëm pse ndodh kështu. Një ndër to është migrena. Personat që vuajnë nga apnea (ndërprerje e frymëmarrjes gjatë gjumit) kanë gjithashtu shanse të zgjohen me dhimbje koke. Po kështu, nëse zgjoheni shpesh me dhimbje koke atëherë vizitoni specialistët pasi mund të jetë shenjë e një tumori në tru.

10. Dhimbjet “akullore”

Truri ngrin! Zakonisht përjetohet kur konsumohen lëngje dhe produkte të ftohta gjatë një dite të nxehtë vere. Njerëzit me migrenë janë gjithashtu të prirur ta përjetojnë këtë lloj dhimbjeje. Nuk është serioze dhe mendohet se shkaktohet nga ndjesia e ftohtë në gojë që rrit qarkullimin e gjakut në një nga artieriet e trurit. Si ta kuroni? Largoni për pak akulloren/pijen me akull ose konsumoni diçka të ngrohtë.

11. Dhimbjet kronike ditore

Nëse keni dhimbje koke të paktën 15 ditë në muaj për më shumë se 3 muaj, mund të jeni një ndër personat që vuajnë nga dhimbjet e kokës kronike ditore. Shkaktohet kryesisht nga përdorimi i tepruar i ilaçeve që reduktojnë dhimbjen.

12. Dhimbjet e menstruacioneve

Dhimbje të tilla ndodhin zakonisht 3 ditë para dhe 2 ditë pas fillimit të menstruacioneve.

13. Dhimbjet e kokës në fundjavë

Disa njerëz përjetojnë dhimbje koke që shfaqen kryesisht në fundjavë dhe shkaktohen nga mbingarkesa. Nëse niveli i stresin ka qenë i lartë gjatë javës, lirimi në fundjavë mund të sjellë dhimbje koke.

14. Dhimbjet urgjencë

Disa dhimbje kërkojnë vëmendje urgjente dhe bëhet fjalë për një dhimbje koke të papritur dhe “shpërthyese”, ethe, rritje ekstreme e presionit të gjakut dhe goditje në kokë. Simptoma të tjera janë: probleme me shikimin, dhimbje në qafë, marramendje, humbje e ndjesisë dhe dobësim i muskujve.

Përshtatur nga Health.com