
Sipas një studimi nga një ekip kërkimor në shkollën “Sloan School of Management”, ku morën pjesë plot 480,948 punëkërkues, inteligjenca artificiale mund të të ndihmojë në krijimin e një CV-je pa gabime.
50% e punëkërkuesve iu ofrua ndihma e inteligjencës artificiale për të hartuar një CV, ndërsa 50% i mbetur e përpiloi pa një ndihmë të tillë. Rezultati ishte se inteligjenca artificiale ndihmoi punëkërkuesit që të krijonin fjali më të rregullta në aspektin gramatikor, të respektonin shenjat e pikësimit, si dhe të përdornin në mënyrë më efikase frazat dhe fjalët specifike.
Kështu, aplikantët e grupimit që u ndihmuan nga inteligjenca artificiale morën 7.8% më shumë oferta punësimi, si dhe pagat e tyre fillestare ishin 8.4% më të larta, në krahasim me 50% që nuk pati “prekjen” e inteligjencës artficiale.
Pse ndodhi ky fenomen me CV-të në fjalë?
Për 2 arsye:
1. Kur dërgohet një CV dhe letër motivimi, gabimet drejtshkrimore bien shumë në sy dhe ndoshta e bën të duket aplikimin më pak profesional dhe krijon idenë se nuk i ke kushtuar kohën e duhur kurimit të CV-së. Në rastet kur CV-ja është anglisht, vetë kompjuterat identifikojnë gabimet drejtshkrimore dhe në njëfarë mënyre, CV-ja me gabime, kalon në plan të dytë, duke i dhënë prioritet kandidatëve të tjerë. Plus, kur personi përgjegjës nga Departamenti i HR e hap CV-në, nënvizohet gabimi drejtshkrimor.
2. Ekziston klishéja se libri nuk duhet gjykuar nga kopertina. Në fakt, nuk qëndron, sepse të gjithë e bëjmë këtë, sidomos në aplikimet për punë. Sigurisht, gabimet në të shkruar, apo në gramatikë lënë një “shije të keqe” dhe krijojnë idenë se: “Nëse ti ke bërë gabim CV-në, që është ‘pasaporta’ jote e prezantimit, si pret të të besoj pozicionin e punës?”.
Gjithashtu, inteligjenca artificiale të ndihmon edhe në fazën e intervistimit, pasi ChatGPT të orienton për t’iu përgjigjur saktë disa nga pyetjeve që të bëjnë punëdhënësit nëprër intervista. “Pse jeni të interesuar të punoni pranë kompanisë tonë?”; “Cilat janë pikat tuaja të dobëta? Po ato më të fortat?”; “Ku e sheh veten pas 5 vitesh?” e për shumë pyetje si këto të jep sugjerime ChatGPT, që të mos thuash: “Për lekët!”; “Ah, impulsiviteti! Të forta, s’e di, ja të mendohem”.
Pra, me pak fjalë, mos ki turp, por kërkoje ndihmën e teknologjisë. Fundja, nëse s’e bën ti, do e bëjë dikush tjetër.