
Sonte, në orën 20:45 do të luhet ndeshja Shqipëri-Moldavi në stadiumin “Air Albania” dhe duke marrë parasysh të gjithë fluksin e tifozëve dhe dyndjeve masive të tifozerisë nëpër rrugë, Policia e Shtetit, në bashkëpubim me bashkinë e Tiranës, do të ndërmarrë disa masa dhe do të bllokojë disa rrugë.
Rrugët që do të bllokohen qysh prej orës 16:00 deri në përfundimin e ndeshjes, janë këto:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Presidencës deri te stadiumi;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”;
- Rruga “Dervish Hima”, nga ambasada e SHBA-së deri te stadiumi;
- Rruga “Asim Zeneli”, nga ambasada e SHBA-së” deri te stadiumi;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”;
- Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i liceut deri te stadiumi;
- Rruga “Mustafa Matohiti”, nga shkolla “Kosova” deri te stadiumi;
- Rruga “Jul Variboba”, nga posta deri te stadiumi;
- Rruga “Gjergj Filipi”;
- Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Gardës së Republikës deri te stadiumi;
- Rruga “Avdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri te stadiumi.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar edhe masat që do të merren:
- Eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Moldavisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
- Eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;
- Kryerjen e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të hyjnë tifozët;
- Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
- Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
- Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, një rendësi të veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:
- Federatën Shqiptare të Futbollit;
- Policinë Bashkiake;
- Shërbimin Zjarrfikës;
- Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);
- Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Gjithashtu, janë vendosur kontaktet dhe po bashkëpunohet edhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Moldavisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.