Bota

Vala e të nxehtit në Europë: Temperaturat kapin shifra ekstreme

Shkruar nga Anabel

17 Korrik 2023

Vala e të nxehtit në Europë: Temperaturat kapin shifra ekstreme
Reuters

E gjithë bota po përballet me temperatura ekstreme, të cilat po vendosin rekorde të reja. Së fundmi, për shkak të fenomenit El Niño, temperaturat në Greqi pritet që gjatë ditës së sotme të shkojnë në 43 gradë.

Autoritetet vendase kanë këshilluar njerëzit të mos dalin në oraret e pikut të vapës, të cilat janë 12:00 – 17:00. Nga ana tjetër, atraksionet turistike do të vijojnë të jenë të mbyllura.

Vala e të nxehtit në Europë: Temperaturat kapin shifra ekstreme

Një tjetër pasojë e temperaturave të larta është edhe përhapja e zjarreve, të cilat kanë pushtuar pjesën lindore dhe juglindore të Greqisë, duke i detyruar autoritetet të lëshojnë një alarm portokalli. Ishulli i Kretës është prekur nga zjarret, duke rrezikuar edhe banesat dhe bizneset.

Vala e të nxehtit në Europë: Temperaturat kapin shifra ekstreme
AP

Edhe Italia është përfshirë nga vala e të nxehtit dhe parashikohet që gjatë gjithë kësaj jave temperaturat të vijojnë të jenë të larta. Autoritetet italiane kanë vendosur alarmin e kuq në 16 qytete të vendit, përfshirë edhe Romën. Ata paralajmëruan njerëzit që të shmangin daljet nga fasha orare 11:00 – 18:00, si dhe të kenë kujdes të madh për të moshuarit dhe fëmijët.

Vala e të nxehtit në Europë: Temperaturat kapin shifra ekstreme
AP

Në Spanjë i nxehti ka shkaktuar thatësira të shumta dhe më shumë se 300 zjarrfikës po mundohen të shuajnë flakët në ishullin Kanarie. Zjarret kanë djegur mijëra hektarë tokë, specifikisht, 4,650 dhe kanë sjellë evakuimin e 4,000 banorëve.

Ky i nxehtë ekstrem do të vijojë me të njëjtin ritëm dhe pritet që të vendosen rekorde të reja edhe në Poloni, Gjermani e Francë.

Më parë, Organizata Botërore Meteorologjike (OBM), ka paralajmëruar qeveritë që të përgatiten për dukuritë ekstreme të motit dhe temperaturave rekord që priten.

El Niño është një model klimatik natyror në Oqeanin Paqësor që sjell temperatura më të ngrohta se mesatarja e sipërfaqes së detit dhe ka një ndikim të madh në mot në të gjithë globin, duke prekur miliarda njerëz.

"Shfaqja e El Niño do të rrisë shumë gjasat për të thyer rekorde të temperaturës dhe për të shkaktuar nxehtësi më ekstreme në shumë pjesë të botës dhe në oqean," tha Sekretari i Përgjithshëm i OBM-së, Petteri Taalas.

Deklarata "është sinjal për qeveritë në mbarë botën për të mobilizuar përgatitjet për të kufizuar ndikimet në shëndet, ekosisteme dhe ekonomi".

Për të shpëtuar jetë, qeveritë duhet të krijojnë sisteme të paralajmërimit të hershëm dhe të përgatiten për ngjarje të tjera shkatërruese të motit këtë vit, tha ai.