Përdorimi i përditshëm i Threads, një aplikacion i Meta-s i ngjashëm dhe rival me Twitter-in, vazhdon të bjerë ndonëse filloi me ritme të shpejta në javët e para të lançimit të tij.
Angazhimi me aplikacionin është ulur 79%, nga 2.3 milionë përdorues aktivë në fillim të korrikut në 576,000 më 7 gusht, sipas Similarweb, një platformë e inteligjencës dixhitale.
Brenda orëve të para të lançimit të tij më 5 korrik, Threads grumbulloi 5 milionë përdorues dhe në më pak se një javë, të paktën 100 milionë njerëz u regjistruan, duke e bërë atë aplikacionin që shkarkohet më shpejt.
Por duket se emocioni fillestar është zbehur. Në ditën e tij më të ngarkuar, numri i përdoruesve të Threads ishte më pak se gjysma e atyre në Twitter, sipas të dhënave të Similarweb. Twitter ka mesatarisht më shumë se 100 milionë përdorues aktivë ditorë.
Threads kishte për qëllim të përfitonte nga kaosi në Twitter që kur Elon Musk mori drejtimin e kompanisë. Por mesa duket po has vështirësi.