Një djalë nga Kenia, Brian Mwenda, u shtir si avokat dhe për habi të të gjithëve, fitoi 26 çështje përballë avokatëve të kualifikuar.
Brian vodhi identitetin e një avokati me një emër të ngjashëm me të tijin - Brian Mwenda Ntwiga. Shoqëria Juridike e Kenias dyshoi kur avokati i vërtetë nuk mund të hynte më në sistem pasi ishin ndryshuar të dhënat e tij.
Rasti ka mahnitur vendin afrikan ditëve të fundit, duke shkaktuar reagime të ndryshme, nga kritikat deri te lavdërimet.
Brian po cilësohet si “një mendje brilante” që arriti të fitonte gjyqet “pa kualifikimet tradicionale”.
Ai u arrestua nga policia, vendim që disa njerëz nuk e kanë përkrahur sepse sipas tyre, “ai nuk është terrorist, nuk ka vrarë njeri”. Të tjerë shkruajnë se zyrat e avokatisë do ta punësojnë më vonë, ndërsa disa njerëz sugjerojnë që shteti duhet t’i paguajë studimet.
Sidoqoftë, Brian do të duhet të kalojë edhe një test të fundit – të nxjerrë veten nga burgu.