Ish-banorja e “Grande Fratello-s”, Heidi Baci, është rikthyer në shtëpinë më të famshme në Itali, për t’u përballur me Massimiliano Varrese-n, me të cilin u duk se po krijonte një romancë dashurie.
Romanca u la në mes pas takimit me Gentin, babanë e saj, ndërsa ky i fundit u duk që nuk ishte dakord për lidhjen e së bijës me aktorin italian 21 vite më të madh. Heidi, e rikthyer në studion e ‘Grande Fratello”, foli për historinë e saj dhe raportin me të atin.
“Kur pashë babanë u lumturova sepse ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë në familje. Duke e parë në sy, kuptova se nuk e kisha parë kurrë ashtu dhe diçka nuk shkonte. Në atë moment u turbullova nga mendimi i nënës sime, pasi prindërit e mi janë shumë mbrojtës ndaj meje,” tha Heidi.
Ndërkohë, shqiptarja pati dhe një përballje përmes kamerave me aktorin italian. “Nuk kam asgjë për të thënë më shumë. Lotët që ke parë janë ato të një personi që ka dëgjuar fjalët e ashpra të babait tënd. Duke mos dashur të komentoj apo të përkeqësoj situatën, nuk munda të shfryj as verbalisht apo në ndonjë mënyrë tjetër, kështu që unë shpërtheva. Gabimi im ishte mbivlerësimi i ndjeshmërisë së Heidit,” u shpreh Varresse.
Heidi nuk e vonoi përgjigjen direkte duke i thënë aktorit se: “Të kam mbështetur shumë herë, të kam kuptuar, të kam ardhur në ndihmë dhe pavarësisht kësaj, të kam kërkuar edhe të tërhiqesh disi por nuk e bëre, përdore psikologjinë e kundërt, atë të injorimit në një shtëpi ku jetonim bashkë”.
Massimiliano e pasoi me fjalët: “Çfarëdo që të thuash është në rregull. Mund të thuash çfarë të duash. Ne do të flasim për këtë…”
Por, 26-vjeçarja duket se e mbylli shkurt bisedën duke thënë: “Jo, nuk do të flasim më për këtë. Unë po bëj përpjekje për ta mbyllur. Nuk dua më kontakte dhe dua që t’i të ndalosh së foluri për mua, babanë dhe familjen time pa e ditur të vërtetën”.
E gjithë kjo situatë ka ndezur jo pak diskutime në rrjetet sociale, ku nga njëra anë sjellja e të atit të Heidit është kritikuar ashpër më tepër si një dëshirë për të kontrolluar jetën e së bijës, ndërsa sjelljet e Massimiliano-s janë parë si manipuluese.