Në dhomat e rrëmujshme të “Big Brother VIP Kosova”, ka zënë rrënjë një temë e veçantë. Muhabeti i banorëve së fundmi është përqendruar te historitë martesore të Bleros. Me jo një, por dy divorce në xhep, Blero padashur është bërë subjekt i shakave (pa kripë?) të banorëve dhe jo vetëm.
Në rast se nuk jeni përditësuar me këto komente, po ju përmbledhim disa prej tyre. Mund të jenë edhe më shumë, nuk e përjashtojmë si mundësi. “A ma jep recetën vëlla, vetëm një herë të martohem [dhe unë],” i tha një ditë Gania, ndërkohë që banorët e tjerë qeshën, bashkë me Bleron që duket një tip i qetë që i urren debatet. “Sa herë është martuar Blero, unë s’i kam kushërinj,” tha sërish Gania. “Paradite doli me gruan, pasdite u kthye vet në shtëpi” është një koment i radhës.
“Energjia e ditëve të para të ka humbur. E ke lënë veten në rënie të lirë dhe të këshilloj të gjesh ku ke qenë ditët e para. Nëse ndjen për dikë, shprehu. Nëse të mungon ndonjë nga ish-bashkëshortet tua, shprehu.” i tha opinionisti Bledi Mane, koment që Blero nuk e priti mirë dhe theksoi që të mos përmenden ish-bashkëshortet sepse nuk është korrekte.
Për sqarim: Blero ka qenë i martuar më parë me aktoren Teuta Krasniqi, me të cilën ka një vajzë. Ata u ndanë rreth 10 vjet më parë. Në shtator 2019, ai u martua me Afronën, me të cilën u nda vitin e kaluar.
Kush do ta kishte menduar që dy divorcet e Bleros do të ishin një temë kaq e diskutuar, sikur apokalipsi po troket në derë. Në fund të fundit, divorci, në ditët e sotme, është po aq i zakonshëm sa telefonat inteligjentë. Prandaj është në kufijtë e komikes fakti se si banorët e BBVK e trajtojnë si “çështjen e shekullit”.
Le të mos harrojmë qershinë mbi tortë – standardi i dyfishtë. Imagjinoni, vetëm për një moment, sikur në vend të Bleros të ishte një grua, të cilës do t'i përmendej vazhdimisht fakti që ka pasur dy divorce. Si do të ishin reagimet? Shoqëria duket se i ka lejuar vetes që shakatë, talljet dhe komentet e panevojshme për divorcet e një burri të jenë të pranueshme.
Për më tepër, këto komente janë jo vetëm të panevojshme, por ndoshta edhe të rrezikshme. Përmendja në mënyrë të përsëritur të së kaluarës martesore të dikujt, mund të çojë në ndjenja turpi, sikleti dhe të përforcojnë stigmën rreth divorcit.
Prandaj, ndoshta banorët e BBVK duhet ta drejtojnë energjinë e tyre në biseda më kontruktive dhe tema më interesante. Janë thjesht dy divorce, nuk u bë nami. Njerëzit dashurohen, nuk e pëlqejnë më njëri-tjetrin, ndahen. Jeta vazhdon.