Gjithnjë e më shumë prodhime kinematografike shqiptare po shfaqen në kinematë vendase dhe jo vetëm e përtej filmave në vetvete, kjo është padyshim një qasje pozitive. “Në kuadër të dashurisë” nuk ka shumë që është lançuar në kinema, “2 Gisht Mjaltë 2” me Elvana Gjatën dhe Ermal Mamaqin pritet të publikohet në fillim të vitit tjetër, po ashtu edhe filmi i Bora Zemanit dhe Donald Veshajt. Thënë kjo, duket se kinematografia vendase është “shkundur” nga pluhuri; tashm prodhimet e filmave nuk janë më sporadike, qasje që u vu re pas viteve 2000.
Për më shumë detaje, ne kontaktuam me Cineplexx, rrjetin gjigant të kinemave. Klemi Sinakoli, i cili prej më shumë se 9 vitesh ka shërbyer si menaxher i kinemasë në TEG dhe së fundmi është menaxher i marketingut në Cineplexx Albania, ndan me ne disa fakte interesante për filmat shqiptarë të kohëve të fundit dhe jo vetëm.

Drejtor Marketingu i Cineplexx Albania
Fillimisht jemi shumë kuriozë të dimë se cili film shqiptar ka pasur më shumë sukses në javën e parë?
“Ka qenë filmi “2 Gishtë Mjaltë”, i cili pati një pritje të jashtëzakonshme nga publiku. Ky film shiti mbi 35,000 bileta të shitura në TEG & QTU vetëm në javën e parë. Maksimumi i shfaqeve në ditë ka qenë 50 shfaqje vetëm për filmin nga mëngjesi deri në darkë.”
Po filmi që ka qëndruar më gjatë në kinema?
“Për çdo film, qoftë shqiptar ose jo, ne mundohemi t’i mbajmë për aq kohë sa ka interes. Pra, nuk kufizohemi në javë shfaqjeje. Nëse për një film ka kërkesa, vazhdon të shfaqet në kinema. Filmi “2 Gisht Mjaltë” ka qëndruar për mbi dy muaj në kinematë tona dhe gjithashtu mban edhe rekordin e shitjeve në Kosovë, në rrjetin Cineplexx. Po kështu pa pasur sukses edhe më gjerë, në Selanik dhe Vienë.”
Përsa i përket biletave të shitura, na i merr mendja që sërish është “2 Gisht Mjaltë” në vendin e parë, apo jo?
“Po, filmi që ka shitur më shumë bileta është po ai film që ka shitur më shumë në javën e parë. Pra, “2 Gisht Mjaltë”.
Sa bileta?
“100,000 bileta të shitura në TEG & QTU.”
Cilët kanë qenë filmat shqiptarë më të suksesshëm të shfaqur në Cineplexx?
“Na vjen mirë që “2 Gisht Mjaltë” shërbeu si një shkëndijë për të rritur prodhimet e filmave shqiptarë që filluam t’i mbushin kinematë plot. Pas “2 Gisht Mjaltë” vjen filmi “Falco”. Në vendin e tretë qëndron “I Love Tropoja”, i cili u ndërpre në mes për shkak të pandemisë, pasi ndjenji vetëm një muaj në sallat tona të kinemasë. Pas pandemisë, periudhë e cila goditi rëndë industrinë e kinemasë në të gjithë botën, kemi patur gjithashtu shumë prodhime të suksesshme. Për momentin, filmi më i suksesshëm në post-pandemi është “Në kuadër të dashurisë”, i cili po vazhdon të mbushë sallat plot, me mbi 40,000 bileta të shitura deri më tani vetëm në Cineplexx. “Policë për kokë”, në fillim të këtij viti, pati sukses me mbi 35,000 bileta të shitura dhe qëndroi për më shumë se 1 muaj në Top Ranking në kinema. Filmi “Dashuri dhe Turbulenca” ishte i pari film pas pandemisë që kaloi shifrën e 20,000 biletave, ndërsa “Sophia” është romancë/drama e parë që arriti gjithashtu të kalojë shifrën e 20,000 biletave.”
Cilin film do ta vlerësonit si një gur të çmuar të fshehur ose si një film të nënvlerësuar që nuk ka marrë shumë vëmendje, por që ia vlen të shihet?
“Mua, si i apasionuar me kinemanë shqiptare të para viteve ’90, më ka pëlqyer shumë “Bolero në vilën e pleqve”, një film nga Spartak Pecani me pjesëmarrjen e Robert Ndrenikës dhe Margarita Xhepës.”
Në krahasim me filmat e huaj, si qëndrojnë ata shqiptarë, përsa i përket shitjeve të biletave?
“Filmat e huaj zënë pjesën më të madhe në programacionin tonë. Çdo javë ka minimalisht 2 premiera të reja botërore. Pra, në vazhdimësi sjellin më shumë njerëz në kinema, në total. Por me filmat shqiptarë, gjithnjë kemi bashkëpunuar së afërmi me producentet për të zgjedhur datat që të mos ketë përplasje me premierat e mëdha botërore, në mënyrë që publiku të ketë mundësi të shohë të gjitha prodhimet botërore dhe lokale të kinematografisë. Avantazh ka pasur edhe hapja e kinemasë së dytë në QTU, e cila na rriti kapacitetin e sallave dhe për rrjedhojë edhe të shfaqjeve për secilin film.”
A ka ndonjë tendencë apo temë interesante që keni vënë re në filmat që kanë qenë të njohur në mesin e audiencës kohët e fundit?
“Ne organizojmë shpesh evente në varësi të temës së filmit, por më të pëlqyer janë komeditë, aksion, horror. Një vend të veçantë zënë edhe filmat e animuar, të cilët janë shumë të ndjekur nga familjet dhe fëmijët e vegjël.”
Çfarë të presim në muajt e ardhshëm në kinema?
“Filmi “Killers of the Flower Moon” po korr goxha sukses. Publiku po priste të rishihte Leonardo DiCaprion-n në bashkëpunim me Martin Scorsese. Për mua, kryefjala deri në fund të vitit do të jetë filmi “Napoleon” me Joaquin Phoenix, nën regjinë e Ridley Scott. Kjo dyshe ka rikthimin e parë me një film së bashku pas “Gladiator”, i cili nuk do koment si film. Nga “Napoleon” pres një magji kinematografike, si në histori, ashtu edhe në realizim. Në dhjetor, kemi ditëlindjen e 10-të të Cineplexx në Shqipëri dhe dhjetori na pret që të kemi “Aquaman” dhe “Ferrari”, të cilët gjithashtu priten me shumë interes.”